Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggit, Pompeo i vendosur: SHBA do të vazhdojnë hetimet

Publikuar tek: bota, më 22:35 11-02-2019 Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggit, Pompeo i vendosur: SHBA do të vazhdojnë hetimet

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Ai theksoi se "Amerika nuk është duke e mbuluar vrasjen”.

Zoti Pompeo i bëri këto komente në Ambasadën amerikane në Budapest, në Hungari. Ai tha se Uashingtoni “do të vazhdojë të marrë masa të mëtejshme”, si përgjigje ndaj vrasjes “tragjike” të Khashoggit, megjithëse nuk është zbatuar afati i 8 shkurtit, i caktuar nga Kongresi për të përcaktuar personat përgjegjës për vrasjen që ndodhi brenda në Konsullatën saudite në Stamboll në muajin tetor.

"Amerika ka marrë shumë masa si përgjigje ndaj vrasjes tragjike të Jamal Khashoggi-t dhe do të vazhdojë me masa të tjera dhe për ta vazhduar hetimin. Ne jemi duke punuar me ngulm për këtë çështje. Presidenti e ka bërë shumë të qartë – ndërsa sigurojmë informacione të mëtejshme, kemi për t’i vazhduar përpjekjet për t’i vënë para përgjegjësisë të gjithë personat përgjegjës,” - tha zoti Pompeo.

Khashoggi ishte gazetar në “Washington Post”. Ai pati shkruar artikuj kritikë lidhur me Princin saudit të Kurorës Mohammed bin Salman. Trupi i gazetarit nuk është gjetur ende.

Pasi mohoi për disa javë që Khashoggi ishte vrarë në konsullatën saudite, Arabia Saudite pranoi se gazetarin e kishin vrarë agjentë të papërgjegjshëm sauditë dhe u ngritën 11 aktpadi lidhur me vdekjen e tij.

Gazeta “The New York Times” njoftoi javën e kaluar se Princi saudit i Kurorës kishte thënë në vitin 2017 se do të përdorte “plumbin” për Khashoggin, në se gazetari nuk kthehej në vendin e tij dhe nuk i ndalte kritikat lidhur me qeverinë saudite.

Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir nuk pranoi të komentonte lidhur me artikullin e gazetës “New York Times”, por i tha gazetarëve në Uashington se Princi i Kurorës nuk kishte dhënë urdhër për vrasjen e Jamal Khashoggit. /VOA

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026789903640747
array(1) { ["section"]=> string(89) "vrasja-e-gazetarit-jamal-khashoggit-pompeo-i-vendosur-shba-do-te-vazhdojne-hetimet-152432" }