Walter Zenga: Unë zëvendësuesi i De Biasit te Shqipëria? Do e bisedojmë

Publikuar tek: sport, më 20:00 29-04-2016 Walter Zenga: Unë zëvendësuesi i De Biasit te Shqipëria? Do e bisedojmë

De Biazi do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë”. Ky ishte lajmi që bëri bujë në mediat italiane dhe më pas në ato shqiptare. Deri diku me të drejtë, sepse pretendohej se këtë e ka thënë Valter Zenga, ish-portieri i shquar italian që sot është trajner i Al Shaab, skuadër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas kësaj nisën spekulimet deri aty sa Zenga mund të jetë një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar De Biazin në postin e trajnerit, nëse 57-vjeçari vendos të largohet nga pankina kuqezi.

Për të hedhur pak dritë mbi të gjitha këto, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi direkt me Valter Zengën, i cili në fakt mohoi të ketë thënë se De Biazi do të jetë trajner i Italisë. Ai thjesht ka thënë “E meriton të jetë pas asaj që ka bërë me Shqipërinë, por jo se ai do të jetë patjetër trajner i ‘axurrëve'”.

Mister, ndjesë për shqetësimin, sepse sot (dje) keni edhe ditëlindjen, por do të donim t’ju pyesnim mbi një deklaratë tuajën në lidhje me De Biazin dhe Shqipërinë…

Po, e kam lexuar thuajse në të gjitha mediat italiane… Kishte bërë xhiron e Italisë shumë shpejt ajo deklaratë e imja.

Pra është e vërtetë që De Biazi do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë?

Jo, nuk kam thënë këtë. Duhet të jemi të qartë që në fillim.

Çfarë keni thënë ju saktësisht?

Shikoni, mua më pyetën gazetarët italianë dhe më thanë nëse isha gati të merrja drejtimin e Italisë. U thashë që nuk jam gati, sepse nuk kam as curriculum-in gati për një nismë të tillë. Më pas ata më pyetën se cili mund të ishte sipas meje njeriu i duhur dhe unë iu përgjigja tekstualisht: “Për mendimin tim e meriton De Biazi. Për atë që ka bërë me Shqipërinë, por edhe për eksperiencën që ka”. Vetëm kaq. Nuk kam asnjë shans unë të përcaktoj se kush do të jetë trajneri i Italisë në të ardhmen, për arsyen e thjeshtë se nuk kam asgjë në dorë. Dhe në fakt, tani që po flasim, as nuk e kam idenë se kush mund të vendoset në atë pozicion.

Pra, ju thjesht keni shfaqur një dëshirë, nuk është se dini diçka më shumë…?

Absolutisht ishte një vlerësim i imi personal kundrejt punës që ka bërë De Biazi. Ai ishte emri i parë që më erdhi ndërmend, sepse mund të thosha fare mirë edhe Ranieri, i cili gjithashtu po bën një mrekulli në Angli.

Flitet që De Biazi ka shumë oferta dhe mund të largohet pas Europianit. Ju do ta merrnit në konsideratë një ofertë nga Shqipëria, nëse do t’ju vinte një e tillë?

Shikoni, ju keni një zotëri trajner, i cili me sa di unë ka bërë me Shqipërinë atë që nuk e ka bërë askush. Ai është trajneri në detyrë dhe unë kurrsesi nuk mund të flas për rrethana hipotetike. E përsëris, De Biazi është një zotëri trajner dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme me përfaqësuesen tuaj.

Dakord, por nuk më thatë nëse ju josh ndopak emri i Shqipërisë…

Nuk e kuptoj se përse këmbëngulni, ndërkohë që e thashë një herë që ju keni një zotëri trajner.

Ndjesë për këmbënguljen, por e bëj këtë sepse emri juaj është lakuar si alternativë edhe para se të emërohej De Biazi trajner i Shqipërisë. I kemi dashur shumë trajnerët italianë edhe para këtij suksesi…

(Qesh). Duhet t’i doni! Duhet t’i dojë gjithë Europa. Nuk e them këtë duke marrë në konsideratë emrat e mëdhenj si Ançeloti, Konte apo Spaleti. E them këtë sepse marr parasysh punën e Ranierit që po bën mrekulli në Angli… të De Biazit dhe Tramezanit që ia dolën me Shqipërinë, por edhe të Agostinelit që ka shanse të mira të shpallet kampion me Partizanin në vendin tuaj. Unë e di se sa e vështirë është të fitosh titullin jashtë Italisë, sepse e kam fituar atë kur drejtoja Steauan e Bukureshtit dhe Yllin e Kuq të Beogradit… Për këtë arsye them se trajnerët italianë janë realisht të fortë. Ndërsa, sa për pyetjen tuaj mbi Shqipërinë, unë deri tani nuk kam pasur asnjë kontakt dhe nuk jam në dijeni të faktit që De Biazi mund të largohet prej aty. Nëse dikush do të më kontaktojë në të ardhmen, atëherë unë do të bisedoj, por deri tani ju keni një trajner në detyrë dhe duhet të tregojmë respektin maksimal, sepse e meriton. (Panorama Sport)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pogba: Dua të jem më i mirë se Pele dhe Maradona
UEFA sërish bileta në dispozicion të tifozëve, ja si të blini për ndeshjen e Shqipërisë »
Article Logic
Execution time: 0.037477970123291
array(1) { ["section"]=> string(75) "walter-zenga-une-zevendesuesi-i-de-biasit-te-shqiperia-do-e-bisedojme-39067" }