Xhelal Mziu: Vendimi i Gjykatës, i diktuar politikisht nga Rama

Publikuar tek: politike, më 21:41 10-04-2015 Xhelal Mziu: Vendimi i Gjykatës, i diktuar politikisht nga Rama

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për ta dënuar atë me 2 vite burg, duke u shprehur se ky vendim është i diktuar politikisht nga kryeministri Edi Rama. Sipas Mziut, vendimi i Gjykatës për ta shpallur atë fjator është marrë në kushtet e një presioni të paprecedent politik, ndërsa nuk ka pasur një proces të rregullt ligjor ndaj tij.

“Përmes këtij komunikimi dua të informoj opinionin publik dhe qytetarët e Kamzës, në lidhje me atë që është një skemë gjakftohtë, e mirëmenduar e Edi Ramës për të përdorur çdo mjet në arritjen e synimeve të tij. Synimi i tij është marrja e Kamzës, dhe meqenëse me votë e ka pasur dhe e ka të pamundur, atëherë Edi Rama ka futur në veprim çdo instrument, edhe në shkelje të ligjit, për të shmangur garën e rivalitetin. Vendimi i sotëm është marrë në kushtet e një presioni të paprecedentë politik. Vetëm një ditë më parë, përfundimet e këtij vendimi u lexuan nga numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament. Shpifës Balla haptazi kërkoi nga Kuvendi që gjykata sot të më dënonte me çdo kusht. Ky vendim, një ditë pas pretencës së bërë nga mazhoranca në seancën plenare, u komentua sot në mënyrë festive nga Edi Rama, nga selia e Partisë Socialiste. Rama foli me një kënaqësi perverse si për të thënë që e hodha hapin e parë drejt Kamzës. I ndikuar politikisht, i diktuar ka qenë procesi ndaj meje që ditën e parë. Ka nisur me urdhër politik përndjekja ime dhe përndjekje ka qenë në çdo moment, pasi për asnjë çast nuk ka patur proces të rregullt ligjor”, shprehet Mziu.

Mziu shprehet se në akuzat e ngritura ndaj tij nuk ka asnjë fakt të vetëm, që vërteton se ky proces është një farsë.

“Akuza është qesharake, dhe ajo është një dosje që studentët e vitit të parë të drejtësisë do ta hidhnin menjëherë në kosh pasi nuk ka asnjë argument ligjor. Avokatët e mi do ta sqarojnë opinionin publik me detaje të hollësishme, se si është ngritur nga hiçi, nga zeroja, një akuzë që është thjesht një shërbim politik për Edi Ramën. Ia vlen të theksohen 3 momente që e nxjerrin zbuluar dhe farsë këtë proces. 1-Nuk ka asnjë dëm ekonomik, nuk është shpenzuar asnjë qindarkë publike, pra nuk ka asnjë pasojë. 2-Kompania që ka bërë kallëzimin penal nuk ka paraqitur asnjë nga dokumentat e kërkuar nga ligji për lidhje kontrate. 3-Përsa i përket aplikimit të taksave lokale, vetë prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj meje për të njëjtën akuzë për taksën e vitit 2014. Çfarë do të thotë se vetë Prokuroria e ka rrëzuar këtë akuzë. Eshtë politik ky proces ndaj meje, dhe mund të vëreni se si vendimi merret pikërisht përpara nisjes së fushatës, dhe ndërkohë që unë jam shpallur zyrtarisht kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e re të Kamzës”, thuhet në reagimin e Mziut.

Megjithatë, kryebashkiaku i Kamzës ende në detyrë shprehet i vendosur për të qëndruar pranë banorëve të kësaj Bashkie si dhe ka theksuar se ky vendim i marrë nga Gjykata do të apelohet.

“Por dua të siguroj qytetarët e banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, se asgjë nuk me bën të tërhiqem nga angazhimi që kam për t'u shërbyer atyre, për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre. Kushtetuta e Shqipërisë i njeh pafajësinë çdo qytetari i cili nuk është gjetur fajtor me vendim të formës së prerë, dhe i tillë është vetëm vendimi i Gjykatës së Apelit. Dua të shpreh publikisht gatishmërinë time të plotë për të zbatuar çdo vendim gjykate, duke mbajtur të gjitha përgjegjësitë e mia ligjore, politike dhe morale, dhe për ta ndjekur e apeluar çështjen deri në fund. Kam besim tek drejtësia dhe ligji, edhe pse asnjëherë më parë gjyqtarët nuk kanë qenë nën një presion të tillë të hapur politik nga kryeministri i vendit. Kontrata që kam me banorët e zonës time është e pathyeshme, e pamundur të cënohet nga Edi Rama dhe urdhërat e tij politikë”, deklaron Mziu.

Lexo edhe:

Gjykata dënon me 2 vjet burg kryetarin e Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zyrtare/ Besnik Dushaj kandidati i PD për Tropojën
Aleanca Kuq e Zi : Rama nuk qeveris dot Shqipërinë e Vogël, jo më të Madhen »
Article Logic
Execution time: 0.028131008148193
array(1) { ["section"]=> string(66) "xhelal-mziu-vendimi-i-gjykates-i-diktuar-politikisht-nga-rama-8412" }