Zbardhet debati i Gjin Gjonit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani përplaset me Sokol Çomon

Publikuar tek: politike, më 08:17 24-03-2016 Zbardhet debati i Gjin Gjonit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani përplaset me Sokol Çomon

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, para se të largohej me dëshirën e tij nga votimi për kreun e Gjykatës së Apelit Tiranë, gjyqtari Gjin Gjoni ka debatuar ashpër me kandidatin Alaudin Malaj. Debati u parapri nga një kërkesë e depozituar nga Malaj në KLD, një ditë para mbledhjes së 7 marsit 2016. Përmes saj, Malaj kërkonte që anëtari Gjin Gjoni të mos merrte pjesë në votimin ndaj tij, për shkak të ekzistencës së një konflikti interesi.  Gazeta “Panorama” ka siguruar një kopje të procesverbalit të mbledhjes së fundit, ku zbardhet përplasja mes Gjonit e Malajt si dhe debati mes presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe anëtarit Sokol Çomo.

DEBATI GJONI­MALAJ

Alaudin Malaj: Ju falënderoj, zoti President, edhe juve zotërinj të KLD­së. Para se ta marr fjalën, unë faktikisht i kam paraqitur një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për përjashtimin e zotit Gjin Gjoni nga kjo mbledhje. Meqenëse është kërkesë paraprake e imja, ju lutem dua të di a do të marrë pjesë zoti Gjin Gjoni në votimin tim apo

jo?!

Bujar Nishani: Po, zoti Gjoni, urdhëroni!

Gjin Gjoni: Atëherë, zoti President, unë jo nisur nga kërkesa e zotit Alaudin Malaj, sepse zoti Alaudin Malaj e di shumë mirë se çfarë kërkesash ka bërë dhe ku i ka nisur kërkesat e tij, kërkesa bazuar në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, në ligjin “Për organet kolegjiale”, në Kodin e Procedurës Administrative, e cila është një kërkesë e paligjshme, edhe po t’i referohesh kërkesës është akoma… kandidati, zoti Malaj, nuk e di që ka ndryshuar Kodi i Procedurave Administrative dhe i referohet ligjit të vjetër të Kodit të Procedurave Administrative, dhe nuk e di që ka një ligj të ri për mosmarrëveshjet administrative dhe për Gjykatën Administrative… Ja një minutë. Se e drejton Presidenti. …në mënyrë që të vazhdojë të shkruaj nëpër televizione dhe gazeta e të çojë informacione ditë për ditë, sa herë të ketë nevojë dhe të marrë edhe miqtë e mi se çfarë të botojnë dhe çfarë mos të botojnë. Unë, që të mos paragjykohesh, por jo për shkaqe ligjore dhe të uroj, të them të drejtën, jetë të gjatë dhe punë të mbarë edhe me gazetat që furnizon me material. Heq dorë dhe nuk marr pjesë në votim, por pjesën tjetër e shqyrton Presidenti I Republikës, nëse duhet të qëndroj në sallë apo jo. Faleminderit!

Alaudin Malaj: Një sqarim vetëm, zoti President. Unë ia kam marrë dorën, kam një 3 vjet që dëgjoj vetëm nga këto historirat, akuzat, kundërakuzat e historira të tjera. Unë kërkesën ia kam paraqitur Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të gjithë anëtarëve të KLD­së, pa përjashtuar askënd dhe e kam bërë publike kërkesën time për zotin Gjin Gjoni për këtë mbledhje. Më vjen keq sepse po ta shohësh

 kërkesën, kërkesa ime është fare e thjeshtë, është fare normale, fare administrative dhe ka të shprehur vetëm ligjshmërinë. Unë po të isha, nuk do të merrja kurrë pjesë, as s’do të bëhesha pjesë e debatit me askënd, as me zotin Gjin Gjoni, në qoftë se do të ishte në dorën time.

Bujar Nishani: Dakord, atëherë pas kërkesës së bërë nga zoti Alaudin Malaj, zoti Gjin Gjoni heq dorë me vullnetin e tij për të qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes në emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjithsesi, pretendimet e zotit Gjoni gjithashtu janë prezente në mbledhje. Unë do t’i kërkoja me mirëkuptim zotit Gjoni që, për të eliminuar çdo lloj situate psikologjike ndoshta, të qëndronte te zyra e kryetarit, deri sa të mbarojmë. (Zoti Gjoni del nga salla e mbledhjes.) …

Alaudin Malaj: (Gjatë paraqitjes së platformës së tij si kandidat për kreun e Apelit). Edhe një gjë tjetër, unë zoti President kam qenë kohët e fundit i akuzuar nga ILDKP­ja lidhur me pasurinë time. Ta sqaroj këtu me dy fjali. Nuk dua ta zgjas shumë. Kur bëri kallëzimin ILDKP­ja, unë s’kisha fare dijeni, nuk isha takuar asnjëherë. Ishte një rrugë ekstraligjore, ekstraadministrative. Të gjithë janë thirrur në ILDKP, kanë dhënë shpjegime, pastaj u është bërë kallëzimi. Rasti im ishte tipik hapur direkt në media, thjesht për të denigruar figurën time. Gjithsesi, e mora me qetësi. Do t’u kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë që ta marrin me qetësi kur të bëhet kallëzimi për pasuritë e tyre. U paraqita pranë organeve të hetimit, me një hetim 4­mujor. Nuk u hetova vetëm unë, u hetua edhe gjyshi im dhe mbas kësaj u vendos pushimi i çështjes. Sot që flasim bashkë, unë s’isha dakord me pushimin e çështjes për dispozitën ligjore që është pushuar çështja. Sot që flasim bashkë, Gjykata e Rrethit Durrës ka pranuar kërkesën time dhe është pushuar çështja ime, sepse fakti s’ekziston. Por çfarë do të thotë mes nesh fakti s’ekziston? Mes nesh fakti s’ekziston do të thotë se kallëzimi që është paraqitur ka qenë totalisht joreal dhe I pavërtetë. Kështu që e ndjeja këtë të nevojshme t’u diskutoja juve dhe përpara se… në qoftë se ju do të keni ndonjë dyshim lidhur me këtë, unë jam gati të përgjigjem para Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pastaj të votohet për mua për kryetarin e gjykatës. Kaq kisha. Faleminderit!

DEBATI NISHANI­ÇOMO

Sokol Çomo: Kjo që më ngacmoi është vetëm një gjë. Jepet si shembull Gjykata e Apelit Tiranë, që a mund të bëhej vlerësim I përshpejtuar sipas kërkesave të ligjit. Gjykata e Apelit Tiranë ka disa vite që i ka vendet e shpallura. Nuk i ka as 1 javë, as 1 muaj, as 1 vit. I ka me disa vite. Ligji thotë: ata që konkurrojnë për gjykatat e apelit, duhet t’i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar. Gjatë këtyre viteve që kanë qëndruar të shpallura vendet e Gjykatës së Apelit, ky Këshill ka pasur plotësisht mundësinë që të bënte vlerësimin e përshpejtuar dhe të mos shkonte te viti 2007, por qëllimi i vlerësimit të përshpejtuar është që t’i afrohesh viteve, të cilat janë reale, për të parë a do ta çosh një kandidat në Gjykatën e Apelit Tiranë ose jo. …

Bujar Nishani: Që nga dita e parë që keni ardhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të qëndrimeve dhe për shkak të deklaratave tuaja, ju kam kërkuar që të mos spekuloni. Dhe do të vazhdoj t’ju kërkoj të mos spekuloni. Edhe deklarata juaj e fundit është një spekulim, i cili nuk i shkon për shtat as nivelit profesional dhe as etik të kësaj tryeze. Vendet në Gjykatën e Apelit të Tiranës kanë pa dyshim disa kohë, por jo të gjitha vendet dhe jo të gjitha vakancat kanë ardhur në të njëjtën kohë. Kemi pasur një proces që vakancat janë shtuar kohë pas kohe dhe çdo herë që ka pasur vakanca, çdo herë është bërë shpallja e tyre dhe çdo herë që është bërë shpallja e këtyre vakancave, ka pasur shtesa në aplikime dhe në kërkesa, për të vajtur te këto vakanca. Prandaj, ky konstatim i juaji, që kanë disa vite vendet në Apelin e Tiranës, dhe të tjera, nuk është tërësisht korrekt, nuk është i saktë, nuk është i drejtë. Gjithsesi, paragjykimet që ju mbani… Këtu i vetmi person, i cili i fut në rendin e ditës, është kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që jam unë. Prandaj ju vazhdoni me paragjykime. Unë nuk e di se kush jua imponon këto paragjykime. Nuk e di se kush jua inspiron këto paragjykime. Kam shprehur vazhdimisht keqardhjen, për shkak të një respekti profesional që kam pasur për ju. Kam shprehur keqardhjen për një lloj qëndrimi inspirues partizan të panevojshëm, të paarsyeshëm, të pasqarueshëm dhe të pakuptueshëm nga ana ime, i juaji vetëm, në këtë tryezë. Kam shprehur këtë keqardhje, sepse kam menduar që një individ me një vlerë profesionale nuk mund të bëhet përçues dhe inspirues I qëndrimeve partizane që vijnë nga partitë politike, nga selitë e partive, nga ambiente të ndryshme dhe të na i sjellë këtu neve në tryezën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ka qenë i vetmi shqetësim që unë jua kam shprehur, jua kam thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ju shkon në fakt. Po t’ju shikosh, ju mbase s’e kuptoni te vetja, por po t’ju shikosh, siç ju shohim neve në raportin përballë, natyrisht ndihemi edhe ne jo mirë, sepse edhe nuk ju shkon në fakt ky qëndrim partizan. Nuk ju shkon. Jua them sinqerisht. Megjithatë, kjo është zgjedhja juaj. Unë do t’ju lutesha, për hir të korrektesës së funksionimit të këtij institucioni, që të gjitha shqetësimet që ju keni, dhe jeni absolutisht në të drejtën tuaj këtu; nuk jeni për shkak të dëshirës as të kryetarit dhe as të një anëtari tjetër, jeni në të drejtën tuaj, përfaqësoni një institucion. Pa dyshim që ardhja juaj është një ngërç, sepse ka një problem të madh të pazgjidhur ende nga Gjykata Kushtetuese me Parlamentin, por nuk e zgjidhim dot neve këtë çështje. Nuk e zgjidhim dot ne si institucion. Por unë ju kam kërkuar që të gjitha pretendimet dhe të gjitha… mënyra e sjelljes suaj institucionale të bazohet vetëm në atë çka parashikon ligji, në të drejtën tuaj ligjore, në të drejtën tuaj individuale dhe ju jeni këtu si të gjithë të tjerët, i barabartë, pa dyshim

Sokol Çomo: Zoti President, është bërë një gjë e zakonshme që sa herë unë bëj një diskutim, ju merrni përsipër që të bëni diskutim për diskutimin tim. Këtu gjërat janë gjëra fakti, dhe juristët flasin me fakte, flasin me prova. Unë po ju them, ka ndonjë njeri në këtë tryezë që të ndriçojë faktin që vendet e Apelit të Tiranës janë të shpallura prej disa vitesh? Ju dëgjova me shumë vëmendje. Nuk dhatë asnjë argument që vendet e Apelit të Tiranës nuk janë të shpallura prejvitesh. Dëgjova vetëm që ju keni keqardhje. Unë ju siguroj që edhe unë kam keqardhjen time. E kam shumë të madhe. E kam shumëdimensionale. Por nuk e gjej të nevojshme që keqardhjen time, për persona të caktuar, për qëndrime të caktuara, ta bëj publike në këtë tryezë, sepse është një çështje e imja. Ju siguroj që kam absolutisht keqardhje pa fund. Por s’është ky thelbi i kësaj tryeze. Thelbi i kësaj tryeze është të zbatohet ligji. Ligji thotë: kush konkurron në Apel, duhet të ketë procedurë të përshpejtuar. Kemi pas kohë? Absolutisht kemi pas kohë. Pse kemi pas kohë? Se vendet janë të shpallura me vite. Ky ishte thelbi i diskutimit. Më thoni ju mua, çfarë ka te ky diskutim, që është totalisht ligjor, një element partizan, një element partiak, ose ndonjë element për keqardhje? Në qoftë se këto që them unë nuk duan të kuptohen si shqetësime të një juristi për mënyrën se si funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë, keqardhje pa fund për ata që nuk duan të kuptojnë shqetësimet e anëtarëve, të cilët thelbësore në këtë tryezë kanë vetëm zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër. /PANORAMA

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Maxhoranca e opozita pranë marrëveshjes për Reformën në Drejtësi, pranojnë sugjerimet e Venecias
Sot përvjetori i 15-të i nisjes së Luftës së NATOS-s në Kosovë, Majko e kujton kështu »
Article Logic
Execution time: 0.23345613479614
array(1) { ["section"]=> string(109) "zbardhet-debati-i-gjin-gjonit-ne-keshillin-e-larte-te-drejtesise-bujar-nishani-perplaset-me-sokol-comon-35879" }