Zbulohet për herë të parë letra, ja çfarë i shkruante Dritëroi 10 ditë para dasmës Sadijes: Të puth fort

Publikuar tek: kulture-art, më 13:07 11-06-2017 Zbulohet për herë të parë letra, ja çfarë i shkruante Dritëroi 10 ditë para dasmës Sadijes: Të puth fort

Elona Agolli e bija e shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli ka publikuar për herë të parë letrën paramartesore që shkrimtari i ka shkruar Sadijes.

Agolli u nda nga jeta në shkurt të këtij viti dhe Elona e kujton herë pas here duke postuar dorëshkrime të tij. Këtë herë ka zgjedhur letrën që i ka shkruar Sadijes 10 ditë para se ata të martoheshin.

 “I lexoja fshehurazi kur isha e re; e dija ku ishin vendosur dhe sapo mbetesha vetëm në shtëpi, hapja dosjen e përpija rreshtat e shkruar me atë kaligrafi, që për mua ishte më e bukura në botë. Letrat e njohjes, letrat e dashurisë, letra të inatosura nga ndjenja xhelozie, por dhe letra ku furishëm shprehej aq bukur ajo ndjenjë fort e pakrahasueshme e dashurisë mes atit e nënës sime. Tani e përlotur flas me vete: Jam me fat që jam krijesë e atit tim të admirueshëm e nënës sime të rrallë”, shkruan Elona Agolli.

Letra e Agollit

E dashur Sadije! Sa u ktheva nga Korça. S’më besohet se kanë mbetur edhe 10 ditë gjer në dasmë.
Unë këtej kam bërë të gjitha përpjekjet që të kalojmë mirë verën. Mua më dhanë një herë një fletë kampi për në Pogradec, po duhet të niseshim më datë 24 qershor, d.m.th. sot. Natyrisht që ishte një gjë që s’bëhej. Atëherë shokë e miq ndërhynë dhe ne do të shkojmë në Durrës më 9 korrik në shtëpinë e pushimit ose të Kryeministrisë, ose të Oficerëve.
Ti duhet të marrësh një vërtetim nga qendra jote e punës që je në punë. Bëje gati, se vij e marr të shtunën. Unë do vij të të marr me maqinë angazhe e vishu si të duash e si të jetë më mirë. Ti kujton se unë nuk kam qejf që ti të vishesh me të bardha? Këtë radhë më ka marrë malli shumë për ty. Po ti e ke patur fajin pasi nuk donje të të vinja unë në Shkodër meqë kishin mbetur kaq pak ditë nga martesa! Gjepura! Të shtunën do vi e ti do më presësh. Mbarove shkollën? Xhelali a erdhi? Unë jam i bindur që ty plazhi do të të pëlqejë. Në njëzetedy ditë apo një muaj do të bëhesh korb e zezë. Vetëm duhet të ruash lëkurën e hundës se mos mbetesh me lëkurë të ngrënë në hundë, dhe ti e di sa rëndësi ka hunda, sidomos për seksin e bukur! O hundë, e bekuar! Kam shkruar një cikël me vjersha për fëmijë dhe nesër botohet në “Mësuesi”.
Vjersha të tilla ti kurrë nuk ke lexuar. Për herë të parë shkruaj për fëmijë, siç duket, ti së shpejti do na skalitësh ndonjë azuratino! Tani në prag të dasmës ti nuk shkruan. Nuk vete në postë, siç mendoj unë. Kush e di sa e hutuar dhe e emocionuar je! Edhe unë i emocionuar jam, po meqë jam aq i afërt me ty dhe të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës.

Të dua shumë, shumë.
Të puth fort
Yti Dritëro
24.VI.1965

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ballkani ka rezervuar 5 mrekulli për të gjithë turistët, zbulojini
Tepelenë: Skandal në zonën arkeologjike, “zhduket” gjatë natës monumenti antik i sapozbuluar (FOTO) »
Article Logic
Execution time: 0.022808074951172
array(1) { ["section"]=> string(108) "zbulohet-per-here-te-pare-letra-ja-cfare-i-shkruante-driteroi-10-dite-para-dasmes-sadijes-te-puth-fort-82056" }