Zgjedhjet universitare, kur elitat hyjnë në provim

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:05 23-03-2016 Zgjedhjet universitare, kur elitat hyjnë në provim Foto ilustruese

Pas ngurrimesh dhe testimesh të shumta teknike MAS ka shpallur këto ditë zgjedhjet e reja në të gjitha universitetet publike. Do të jenë me 20 prill, një datë e zakonshme, por që në thelbin e mesazhit të vet, është shumë më e rëndësishme sesa të gjitha datat politike të vitit. Në dallim nga kongreset partiake apo zgjedhjet vendore, më 20 prill do të duhet të votojnë stafet akademike, pra një trupë zgjedhore ku 95% janë më shkollë të lartë dhe ku më shumë se 60% e tyre mbajnë grada shkencore. Janë stafet që përgatisin brezat e sotëm dhe elitat e ardhshme, janë autorë tekstesh e studimesh, burime citimi në mediat sociale dhe ekranet televizive, janë ekspertët e preferuar të donacioneve ndërkombëtare, dhe njëherësh janë edhe varka e Noes që qytetarët kërkojnë sa herë vendi hyn në krizë dhe dështon politika.

Teknikisht janë zgjedhjet e reja me ligjin e ri të arsimit të lartë. Praktikisht janë zgjedhjet e radhës, në vijim të disa proceseve zgjedhore të mëparshme, shumica e të cilave janë etiketuar për konkurrencën e ashpër, ndërhyrjet politike, rivalitetin me cdo mjet dhe produktin, - shpesh, nën standardet e vetë asaj që synohej dhe që ka nevojë një vend në tranzicion si Shqipëria. Një rregullore zyrtare e MAS ka përcaktuar skedat dhe vijat teknike të procesit, vetë procesi konkurrues ende nuk ka nisur publikisht, ndonëse skenarët dhe kandidatët në tërësinë e tyre janë duke testuar vetveten, mbështetjen akademike dhe mbështetjen politike. Ky nuk është një tipar shqiptar, por gati një standard që gjendet në shumicën e vendeve ish komuniste.

Me legjislacionin e ri arsimor sistemi universitar përbëhet nga dy koka paralele: drejtuesit akademikë dhe drejtuesit administratorë. Të parët do zgjidhen me 20 prill, të dytët, në variantin më të mirë, do të zgjidhen diku nga periudha e verës. Sistemi dual është eksperimental, aplikohet për herë të parë në Shqipëri, dhe si cdo eksperiment tjetër, do të dojë kohë për tu provuar nëse mbetet funksional, nëse krijon një cikël bllokimesh të ndërsjellta apo nëse do të sjellë produkt më cilësor akademik apo një mekanizëm tjetër burokratik për shpenzimin e parave publike.

Në thelb, pritshmëria afatshkurtër në rrethanat shqiptare është e tillë që zgjedhjet në universitete dhe institucione akademike nuk pritet të ndryshojnë asgjë në sistemin përfaqësues dhe vendimmarrës: Shqipëria mbetet një demokraci hibride, një sistem parademokratik dhe shoqëria reflekton dobësitë e shtetit dhe të mangësitë në kulturën politike. Efekti i tyre është afatgjatë dhe mund të ketë ndikime pozitive ose negative në shtet, institucione, shoqëri e nivel kulture, në varësi nga mënyra sesi zhvillohen, sesi administrohen dhe sesi reflektohen nesër në mandatet e reja legjitime.

Nëse elitat dështojnë të bëjnë zgjedhje më të mira sesa zgjedhjet e fundit politike parlamentare e lokale atëherë nuk kemi humbur vetëm një palë tjetër zgjedhjesh, por mund të humbim motivimin se gjërat do të përmirësohen në dekadën e ardhshme. Nëse garat paracaktohen, kontrollorët e sistemit arsimor ndajnë postet dhe 20 prilli shndërrohet në procedurë fictive, atëherë jo vetëm elitat, por edhe Shqipëria e nesërme do jetë më e varfër, më pak demokratike, më e zhgënjyer dhe mëme pak shpresa ndryshimi.

Nëse elitat krijojnë një sistem konkurrues vlerash, respektojnë standardet e larta akademike dhe demokratike, atëherë ato mund të promovojnë dhe imponojnë në mjedisin publik dhe institucionet politike standarde të përafërta të larta, duke i bërë një shërbim shumë më të madh shoqërisë sesa vetë katedrave akademike. Nëse elitat duan të sillen e mendojnë si elita dhe jo të vetemërohen të tilla, nëse duan që aktet e fjala e tyre të ketë ndikim publik, ato kanë rastin të tregojnë se janë ndryshe nga partitë, ndryshe nga OJF-të, ndryshe nga federatat sportive dhe ndryshe nga të gjitha subjektet, ku edhe kur bëhen zgjedhje nuk ka rëndësi cili voton, por cili numëron.

Këto zgjedhje do të duhet të ofrojnë atë që të tjerët nuk e ofrojnë, - cilësi kandidimi bazuar në arritje profesionale dhe aftësi të ofrojnë programe ndryshimi, debat publik serioz midis kandidatëve, përqëndrim tek rrugët për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e produktit akademik, respect për kritikën dhe konkurrencën, motivim të garës së lirë dhe të pjesëmarrjes së gjerë, - si dhe në fund të procesit, pranim të vullnetit të votës dhe bashkëpunim me risitë më të mira, për të bërë më të mirën për arsimin, institucionin, studentët dhe sfidat e përbashkëta. Duken pritshmëri utopike për një vend ku rivali shpesh ngatërrohet me armikun, dhe ku cilësi, aleanca e mjete jashtë garës shpesh ndikojnë në rezultatin dhe thelbin e saj, por janë e mbeten standardet e vetme që prêt publiku, që ka nevojë jeta akademike dhe që i shërbejnë misionit të elitave në një shoqëri.

Procesi ka nisur dhe nga mungesa e vizionit paraprak humbëm shansin që për shembull, larg praktikave burokratike të ngarkohej KQZ, institucioni ligjor i zgjedhjeve në Shqipëri, për administrimin e procesit edhe në universitere. KQZ me siguri e pranon në cdo kohë këtë përgjegjësi, edhe sepse përmes angazhimit jep kontribut public dhe ndikon në rritjen e prestigjit zgjedhor dhe kulturës demokratike.

Po ashtu, ekzistojnë edhe praktika të tjera të mira, të cilat, nga mungesa e përvojës, vizionit apo pamundësia teknike, nuk u aplikuan. Për shembull, institucioni përgjegjës, - Ministria e Arsimit dhe e Sporteve mund të krijonte një faqe online vetëm për garën në universitete, kandidatët dhe programet, problematikat dhe risitë, - në funksion të transparencës së procesit dhe produktit të tij. Po ashtu, mund të ishte menduar një sistem shumë më alternativ konkurrues për grupet e studentëve, mund të ishte bërë e njohur axhenda e aplikimit të ligjit të arsimit të lartë (koha kur do procedohet me administratorët, cfarë do të ndodhë me procesin e akreditimit, cilat janë borxhet e universiteteve dhe pasuritë e tyre, cili është buxheti publik aktual dhe prespektivë në dispozion, gjetja e mënyrave për përfshirjen e prindërve/komuniteteve në debatin mbi produktin akademik, përcaktimin praktik të rolit dhe të përgjegjësive të qeverisjes vendore, zgjidhja e konflikteve të interesit në konkurrim, deklarimet e pasurisë, etj).

Gjithësesi, duke njohur standardet ende minimale të demokracisë dhe të mendimit demokratik, në një vend si Shqipëria, për një pjesë e këtyre praktikave të mira ka ende kohë, por përcaktues mbetet vullneti real politik dhe institicional për ti shndërryar zgjedhjet në universitete në zgjedhje elitare në sistemin e baltosur të zgjedhjeve shqiptare. Për këtë secili ka rolin, përgjegjësinë dhe mundësinë të ndikojnë, staf akademik e studentë, zyrtarë politikë e administrativë, komunitete prindërore dhe lokale, media monitoruese dhe grupet e shoqërisë civile. Për këtë kemi kohë deri më 20 prill, jo duke pritur ditën e votimit, por duke e menduar secilën prej këtyre ditëve si ditë më të rëndësishme sesa ajo e votimit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.01737904548645
array(1) { ["section"]=> string(55) "zgjedhjet-universitare-kur-elitat-hyjne-ne-provim-35794" }