100 punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, kryesojnë fasonet dhe call center

Publikuar tek: ekonomi, më 20:06 22-03-2015 100 punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, kryesojnë fasonet dhe call center

Fabrikat fasone dhe kompanitë e call center janë duke u kthyer në gjeneruesit kryesorë të punësimit në vend, kjo për shkak të kostos së lirë të fuqisë punëtore që ka Shqipëria.

Por ulja e produktivitetit dhe mbizotërimi i sektorëve me vlerë të shtuar të ulët, që kërcënon konkurrueshmërinë në afatin e gjatë, rrezikon të kthehet në barrierën kryesore të ekonomisë shqiptare, në rrugën drejt integrimit europian, ku sipërmarrjeve shqiptare do t’u duhet të përballen pa barriera me ato të sofistikuara europiane, shkruan revista Monitor.

Sipas INSTAT, 172 mijë studentë shqiptarë kanë ndjekur arsimin e lartë në vitin akademik 2012/2013, 80% e të cilëve në universitetet publike dhe nëse e krahasojmë këtë shifër me shtetet e tjera, rezulton se e ka treguesine “grupmoshave të përfshira në arsim” 60%, më mirë se Rumania, Franca, Gjermania e Zvicra dhe më ulët se vendet skandinave si Norvegjia, Suedia etj.

Megjithatë, këta studentë lur të mbarojnë studimet, u duhet të përballen me një të vërtetë të hidhur: sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune janë ata që kanë një vlerë të shtuar dhe produktivitet të ulët, si rrjedhojë dhe pagesa jo të larta, që nuk i justifikojnë vitet e shpenzuara për sigurimin e dijeve specifike.

Në bazë të statistikave, dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.

100 punëdhënësit më të mëdhenj:

100 kompanitë më të mëdha kishin nëpunë rreth 64 mijë persona, në fund të vitit 2013, apo rreth 20% të totalit të punësuar në ndërmarrjet private e shtetërore në vend.

Nga 100 më të mëdhenjtë, kompanitë e tekstileve dhe këpucët, që punojnë kryesisht me material porositësi, kishin rreth 13700 të punësuar, apo 21% të totalit. Në total, sipas INSTAT, tekstilet e këpucët punësonin rreth 31 mijë persona, gati 9% të të punësuarve në total. Ky sektor ka shënuar ecuri pozitive dhe në 2014, teksa pa një zgjerim shifror të eksporteve, si rrjedhojë e rritjes së interesit të partnerëve të huaj, kryesisht Italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së largët, e po hedhin sërish sytë nga tregu shqiptar, që vijon të jetë konkurrues përsa i përket kostos së lirë të fuqisë punëtore. Në listën e 100 punëdhënëseve më të mëdhenj, 24 janë sipërmarrje që ushtrojnë aktivitet në fushën e këpucëve e tekstileve.

Kompanitë Call Center janë ndër të pakta biznese që po njohin rritje të aktivitetit të tyre, duke u kthyer në sektor që gjenerojnë vende pune, kryesisht me të rinjë të sapodiplomuar apo me ata që vijojnë studimet. Janë 12 sipërmarrje të tilla në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, që punësojnë gjithsej 9500 persona. Call center kanë parë një zhvillim të shpejtë vitet e fundit, duke u kthyer në “fasonin” modern shqiptar, teksa operatorët italianë po shfrytëzojnë koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e mira të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë.

Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe call center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara teTatimet, ishte 2.56 miliardë lekë (rreth 18 milionë euro), me një zgjerim vjetor prej 71%. Fitimi u dyfishua, nga 322 milionë lekë në vitin 2012, në 690 milionë lekë (para tatimit). Norma e fitimit të kompanisë është rritur në 27% në 2013, nga 21.5% një vit më parë (para taksave). Kosto e punës (paga+sigurime shoqërore) zinin 70% të totalit të shpenzimeve në 2013-n.

Sektori i tretë më i madh punëdhënës, në listën e 100 më të mëdhenjve,është ai financiar e bankar, me rreth 6300 të punësuar.

Në total, 16 bankat në vend kishin 6,745 të punësuar në fund të 9-mujorit 2014, sipas Shoqatës së Bankave, me një shtesë neto prej vetëm 37 të punësuarish në krahasim me fundin e 2013-s. Vitet e fundit sektori bankar ka parë një stanjacion, duke mos hapur vende të reja pune, ndryshe nga periudha deri në 2008-n, kur ishte në lulëzimin e tij.

Energjia është sektori i katërt më i madh në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, me rreth 6200 të punësuar. Hidrokarburet, ndonëse kanë parë zhvillim të shpejtë deri në 2013, nuk kanë shënuar rritje të ndjeshme të punësimit direkt, për shkak të investimeve në teknologji dhe delegimit të një pjese të shërbimeve te të tretët.

Shërbimi arsimor privat është një nga sektorët që ka marrë hov vitet e fundit, duke rezultuar me rreth 1200 të punësuar në listën e 100 më të mëdhenjve, sipas punësimit.

10 punëdhënësit më të mëdhenj:

CEZ Shpërndarje, kompania që ka kaluar sërish në administrim të shtetit, është punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 4800 të punësuar në fund të 2013-s.

Sipërmarrja e dytë në Shqipëri, që punëson më shumë persona, është Intercom Data Service, e fokusuar në shërbimet call center, me rreth 3000 të punësuar në fund të 2013-s. Sipërmarrja ka vijuar me shpejtësi të shtojë forcën e saj punëtore dhe në 2014-n, duke arritur në rreth 3600.

I treti më i madh është Posta Shqiptare, me rreth 2400 të punësuar.

I katërti është kompania e hidrokarbureve, Albpetrol, me pronësi shtetërore, që kishte të punësuar gati 2300 veta deri në fund të 2013-s. Në 2014-n kompania nuk ka kaluar ditë të mira, për shkak të rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Albaco Shoes, sipërmarrja e prodhimit të këpucëve, ishte punëdhënësi i pestë më i madh në vend, në 2013-n, me rreth 1700 të punësuar.

E gjashta, Albania Marketing Service, një sipërmarrje sërish në fushën e shërbimeve call center, kishte rreth 1550 të punësuar në 2013-n.

Raiffeisen Bank ishte në vitin 2013, më e madhja përsa i përket numrit të të punësuarve në sistemin bankar, me rreth 1400 të punësuar dhe e shtata ndër 100 punëdhësit kryesorë.

Albacall është kompania e tretë call center në listën e 10 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me rreth 1400 të punësuar.

I nënti në listë është Albtelecom, me rreth 1400 të punësuar, ndjekur nga ARMO, që kishte në listëpagesë pak më shumë se 1300 persona në fund të 2013-s.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068709850311279
array(1) { ["section"]=> string(81) "100-punedhenesit-me-te-medhenj-ne-shqiperi-kryesojne-fasonet-dhe-call-center-6650" }