100-vjetori i parlamentarizmit shqiptar/ Ruçi: Mirënjohje parlamentarëve për kontributin në zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë

Publikuar tek: aktualitet, më 12:59 21-01-2020 100-vjetori i parlamentarizmit shqiptar/ Ruçi: Mirënjohje parlamentarëve për kontributin në zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë

Sot u zhvillua në Pallatin e Kongreseve Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit shqiptar.

Në këtë veprimtari, morën pjesë ish drejtues të Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të qeverive të Shqipërisë, deputetë dhe ish deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të qeverisjes vendore dhe institucioneve kushtetuese, akademikë e historianë nga Shqipëria, Kosova e ShBA dhe përfaqësues të medias.

Në Konferencë përshëndeti Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

‘Në përfundim të Luftës së Parë Botëtore, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane, vendosën të ricoptonin Shqipërinë.
Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar.
Kësaj thirrjeje iu përgjegj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë.
Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.
Ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane dhe ShBA mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur.
Por ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për coptimin e Shqipërisë.
Parlamentarizmi shqiptar ka një histori tashmë shekullore. Këtë histori mund ta periodizojmë në disa etapa: Themelimi i parlamentarizimit shqiptar nga Kongresi i Lushnjes; Veprimtaria parlamentare pluraliste e viteve 1920-1924; Veprimtaria parlamentare formale gjatë viteve 1925-1939, e cila shërbeu si notere që çertifikonte vendimet e projektligjet e paravendosura të regjimit; Trupat e ashtuquajtura të zgjedhura kolaboracioniste gjatë periudhës 1939-1944, të cilat u vunë hapur në shërbim të pushtuesve Parlamentarizmi komunist, i cili u krijua dhe përfundoi si një institucion fasadë i regjimit, për të ruajtur të ashtuquajturin legjitimitet të tij; Jeta parlamentare pluraliste demokratike pas vitit 1990.
Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar.
Parlamentet e gati 30 viteve të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Meritë e veçantë e parlamentarizmit të këtyre viteve janë hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, korpusi i ligjeve shqiptare të harmonizuara në frymë e në përmbajtje me legjislacionin evropian, e sidomos diskutimi dhe aprovimi vitet e fundit i paketës ligjore për reformën në drejtësi.
Në këtë 100 vjetor të parlamentarizmit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin e Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Një detyrë tepër të rëndësishme ka Kuvendi ynë gjatë vitit që sapo nisi. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e rradhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe’, nënvizoi në përshëndetjen e tij Ruçi.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.041874885559082
array(1) { ["section"]=> string(139) "100-vjetori-i-parlamentarizmit-shqiptar-ruci-mirenjohje-parlamentareve-per-kontributin-ne-zhvillimin-dhe-demokratizimin-e-shqiperise-192705" }