Sot shënohet 15 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, në Prishtinë, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, e dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 23 dhjetor 1989, u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
Në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.