Ditën e sotme bëri bujë lajmi i arrestimit të 13 personave në Tiranë, për të cilët u tha se janë biznesmenë të fuqishëm.
Në fakt arrestimet janë bërë dy ditë më parë, dhe personat e vënë nën pranga pritet të njihen sot me masën e sigurisë.
Të arrestuarit krijonin biznese fiktive lëshonin fatura fiktive për tu rimbursuar me TVSH, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 miliardë lekësh.
Nga skema ka rezultuar se këta persona në harkun kohor të 3 viteve kanë shkaktuar një dëm prej 18 miliard lekësh duke krijuar biznese fiktive në fushën e ndërtimit e më pas duke lëshuar fatura tatimore. Ka qenë Drejtoria e Hetimit Tatimor e Tiranës, e cila ka konstatuar e para skemën në tre subjekte duke ia referuar materialet më pas Prokurorisë.
Mirëpo, raporton newsbomb.al, 13 të arrestuarit, janë vetëm “maja e ajsbergut”. Ata kanë bërë procedura fiktive për llogari të “peshqve të mëdhenj”, njerëzve të fuqishëm nga bota e biznesit, të cilët janë shpallur në kërkim.
Janë 12 biznesmenë të cilët nuk janë arrestuar ende dhe për të cilët, policia dhe organi i prokurorisë është treguar shumë e kujdesshme në dhënien e informacionit.
Ende nuk ka asnjë emër zyrtar nga 12 biznesmenët e kërkuar të cilët janë përfituesit e vërtetë të kësaj skeme mashtrimi me një kosto prej 18 miliard lekësh, dëm për shtetin.
Mbetet për t’u parë nëse organet e zbatimit të ligjit do arrijnë të vënë nën pranga 12 “peshqit e mëdhenj” të biznesit apo do të mjaftohen me 13 “cironkat” që punonin për llogari të të mëdhenjve./ newsbomb.al