Roniada Hysa është infermierja e Spitalit Infektiv në Tiranë, e cila është arrestuara sot nga Policia e kryeqytetit sepse i ka vjedhur një sasi të caktuar parash, një pacienti që humbi jetën nga Covid-19.
Sipas njoftimit, 30 vjeçarja me banim në Durrës u arrestua pasi, në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19.
Kallëzimi është bërë disa ditë më parë nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë.
Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja Roniada Hysa, infermiere në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Rreth një javë më parë ngjarja është transmetuar edhe në emisionin investigativ “STOP”.
Denoncimi në STOP
Më datë 19 janar 2021 emisioni investigativ ka publikuar historinë e një ish-pacienti me Covid-19, i cili u intubua në datë 25 dhjetor dhe në datë 27 humbi jetën. Ai kishte brenda në portofolin e tij kartë ID, patentë dhe kartë banke (bashkë me kodin të shënuar në letër).
Në datë 22-25 dhjetor pacientit nuk ia lëvizi njeri portofolin. Në datë 25 e intubuan. Ditën që e zhveshën nga rrogat për ta intubuar e zhveshën dhe nga lekët.
Pacientit fillimisht i marrin 200 mijë lekë në bankë me anë të kartës së bankës. Kaluan pak kohë dhe hajduti shkoi tërhoqi prapë, prapë 200 mijë lekë, dhe herën e tretë prapë 200 mijë lekë. Një prej këtyre shumave është tërhequr dhe nga një bankë në Durrës.
Brenda në portofol kishte 200 mijë lekë. Por ditën që djali i viktimës mori sendet personale të të atit, në portofol gjeti vetëm 2 mijë lekë të vjetra.
Djali i të ndjerit: Ngjarja ka ndodhur te QSUT, te Infektivi, në 24 nuk kam folur me të, i kanë marrë telefonin dhe në 27 ndërroi jetë. Funerali erdhi, pritëm përcollëm njerëzit dhe kur mora gjërat personale vura re si i mungonte karta e bankës dhe 200 mijë lekë të vjetra në portofol.
Kur ia futa në portofol 200 mijë lekëshin i pashë dhe kartën e bankës, ditën që ia mora karta e bankës nuk ishte. Nuk më interesojnë lekët, s’ka rëndësi kjo. E mora infermieren në telefon dhe i thashë që babit tim i ka humbur karta e bankës, ajo më tha që nuk është puna ime kjo, mos m’i bjer telefonit më sepse po bëj “shopping”.