Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ditën e sotme ‘Kongresin e Lushnjes’ me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’.
Gjatë dorëzimit të çmimit ai e ka cilësuar këtë ngjarje historike dhe një pavarësi të dytë të Shqipërisë.
Ndërkaq, fill pas ceremonisë Meta ka publikuar një foto me gazetaren e njohur Anila Basha, njëherazi botuese e newsbomb.al.
Por nuk është rastësi përzgjedhja e Presidentit për këtë foto pasi Basha, si një gazetare lushnjare, gjatë gjithë kësaj kohe ka lobuar që Kongresi i Lushnjes të merrte vlerësimin e merituar.
Basha ishte një nga iniciatoret, përmes kontaktit të vazhdueshëm me Presidencën, që ngjarja e Kongresit të Lushnjes, në këtë 100-vjetor jubile, të merrte vlerësimin e Presidentit Meta.
“Me gazetaren e njohur Anila Basha para shtëpisë së familjes Fuga në Lushnjë, ku u morën vendimet që shpëtuan Shqipërinë dhe garantuan themelet e shtetit tonë. Edhe unë sot jam lushnjar”, shkruan Meta në foton e publikuar krah gazetares lushnjare e cila vazhdimisht përpiqet të ngrejë lart emrin e Lushnjes që përmes Kongresit bëri histori dhe i fali Shqipërisë ‘Pavarësinë e Dytë’.