21 Janari/Familjarët kërkuan 400 milionë lekë dëmshpërblim, qeveria dha vetëm pensionet

Publikuar tek: aktualitet, më 09:05 26-01-2015 21 Janari/Familjarët kërkuan 400 milionë lekë dëmshpërblim, qeveria dha vetëm pensionet Edi Rama në homazhet e 21 Janarit

Pas një viti negociatash stafi i kryeministrit Edi Rama ka hedhur poshtë kërkesën e një pjesë të familjarëve të viktimave të protestës së 21-janari për dëmshpërblim. Negociata që vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes dështoi, pasi qeveria refuzon të paguajë 400 milionë lekë për familjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Më 17 janar të vitit 2014, familjarët e tre viktimave të 21 Janarit iu drejtuan me një kërkesë Këshillit të Ministrave, për të shqyrtuar mundësinë e zgjidhjes me marrëveshje të kërkesës për dëmshpërblim për tre të vrarët nga Garda e Republikës.

Sipas gazetares së BIRN-it, Lindita Çela, një natë përpara përvjetorit të katërt të 21 Janarit, një përfaqësues i qeverisë negocioi deri vonë me avokatin e familjarëve të viktimave për të arritur një marrëveshje për dëmshpërblimin e jetëve të humbura gjatë protestës.

Në këtë kërkesë, familjarët e viktimave i kërkojnë qeverisë së drejtuar nga Rama të marrë përgjegjësi për vrasjet shtetërore dhe të dëmshpërblejë familjarët e viktimave me 400 milionë lekë .

Kërkesa e familjarëve

Sipas kërkesës Republika e Shqipërisë dhe veçanërisht Garda e Republikës, janë përgjegjëse për humbjen e jetës së 4 personave në tubimin e zhvilluar në datën 21.01.2011 në Blv. Dëshmorët e Kombit, jo vetëm bazuar mbi legjislacionin shqiptar, por edhe mbi Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, pasi “forca e përdorur” nuk ishte e “nevojshme në mënyrë absolute” në marrjen e jetës, provuar kjo dhe me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Së pari, shkruhet në kërkesë, në këtë konkluzion ka arritur gjykata me vendim të formës së prerë, duke e cilësuar përfundimisht se shkaku ka qenë përdorimi i parregullt i armëve të zjarrit nga Garda e Republikës.

Së dyti, sepse stafi politik që drejton këto organe të administratës shtetërore është emëruar nga një forcë politikë e cila e ka bërë të njohur botërisht qëndrimin e saj për përgjegjësinë e shtetit në vrasjet e 21 janarit 2011, duke mos pasur asnjë dyshim në këtë qëndrim.

“Të dy këto arsye, na bëjnë të besojmë se nuk do të jetë e vështirë vendimmarrja për dhënien e shpërblimit të dëmit, si i bazuar në ligj dhe në prova,”thuhet në kërkesën drejtuar kryeministrit Edi Rama.

Një vit më vonë, negociatat janë kthyer në pikën zero. Një grup ekspertësh të Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës, Ministrisë së Financave dhe Avokaturës së Shtetit u ngrit për të llogaritur dëmin, por palët janë ende larg një vlere të pranueshme.

Avokati i qendrës ‘’Respublica’’, Dorian Matlija, që përfaqëson tre nga familjet e viktimave shprehet se ai shpresoi deri në fund për një zgjidhje me marrëveshje me qeverinë, për arsye se një proces gjyqësor do t’i përballte familjarët me kostot e larta të taksës gjyqësore dhe shpenzimet për ekspertët .“Nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje, do t’i drejtohemi gjykatës. Jemi ende në kushtet kur mund të ushtrojmë të drejtën e padisë,” tha Matlija.

Avokati Matlija tregon se familjarët kishin shpresë tek zgjidhja me marrëveshje, pasi kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij ka qenë një mbështetëse e fortë e kauzës së tyre, para dhe pas 21 janarit 2011, kur Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në protestën kundër ish-kryeministrit të djathtë Berisha.

Gjatë periudhës 1-vjeçare, dosja me argument juridike dhe prova shkresore është plotësuar dy herë.“Së fundi na është bërë e ditur se procesi i vendimmarrjes nuk do të vonojë dhe se dosja është e plotë. Jemi aktualisht në pritje të një vendimi,” thotë Matlija.

Ftohja e marrëdhënieve

Por zvarritja e një përgjigjeje për dëmshpërblimet i ka ftohur edhe më tej marrëdhëniet e familjarëve me qeverinë “Rama”. Përvjetori i katërt i 21 janarit kaloi thuajse në heshtje. Kryeministri Rama shmangu kamerat, ndërsa takimin me familjarët e bëri me dyer të mbyllura. Disa nga familjarët e viktimave i thanë BIRN se gjatë takimit me dyer të mbyllura në kryeministri, nuk është folur për çështjen e dëmshpërblimit. Por ndryshe nga çfarë prisnin, familjarët e viktimave morën një premtim për pensione të posaçme.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e shtetit, Ermonela Felaj njoftoi akordimin e një pensioni për fëmijët e katër protestuesve të vrarë. Paralelisht, kryeministri Rama njoftoi përfshirjen e një studioje të huaj ligjore për të zbardhur vrasjet e 21 janarit. Të dyja premtimet, mbeten në kuadrin e deklaratave. E ndërsa pensionet nuk janë bërë ende fakt i kryer, angazhimi i një studioje të huaj ligjore për 21 janarin sipas ekspertëve bie ndesh me legjislacionin shqiptar.

“Në legjislacionin shqiptar është e pamundur që një studio e huaj ligjore të kryej hetime. Këtë të drejtë ligji ia njeh vetëm Prokurorisë. E vetmja mundësi për rihetimin e dosjes është nëse Gjykata e Lartë shprehet për rishikimin e saj,” thotë për BIRN avokati Saimir Visha.

Të lodhur nga zhgënjimet, familjarët e viktimave e kanë humbur besimin se këto premtime do të bëhen realitet. Në një intervistë për BIRN, djali i Faik Myrtajt nuk e fshehu bezdinë nga përdorimi politik që u është bërë viktimave.“Gati-gati po besoj që kujtohen për ne, vetëm kur duan të bëjnë homazhe,” tha ai.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ndalohet nga policia biznesmeni Sait Fishta, ish-kandidati i LSI dhe PS në Shkodër
Akuzat e forta të Përparim Kabos: Rama, me kusi do shkojë nga Azerbajxhani, refuzoi Merkelin. Basha më duket si hoxha i fshatit te autoporlanti »
Article Logic
Execution time: 0.023010015487671
array(1) { ["section"]=> string(91) "21-janari-familjaret-kerkuan-400-milione-leke-demshperblim-qeveria-dha-vetem-pensionet-1485" }