Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka refuzuar të dëshmojë në Prokurorinë e Tiranës për moszbatimin e urdhër-arresteve të krerëve të Gardës së Republikës për vrasjet e 21 Janarit 2011. Kuliçaj ka thënë se do të paraqitet në një moment të dytë për të dhënë shpjegime, vetëm në prani të avokatit mbrojtës.
Dy ish-drejtuesit e lartë të policisë, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj kanë qenë në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegimet e tyre për moszbatimin e urdhër-arresteve për krerët e Gardës së Republikës për vrasjet e 21 Janarit 2011.
Burgaj dhe Kuliçaj kanë shkuar në Prokurori, ku janë pyetur se pse nuk i zbatuan urdhrat e ndalimeve. I vetmi që ka folur ka qenë Burgaj, që ka deklaruar se urdhrat e policisë nuk kanë qenë të qartë në formën se si janë formuluar. Sipas Burgajt urdhër-arrestet e prokurorisë kanë patur lapse, pasi në to gjendeshin edhe emra personash që nuk kishin lidhje me ngjarjen.
Ish-drejtori Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësdrejtori Agron Kuliçaj janë thirrur në Prokurorinë e Tiranës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme, pasi 6 muaj më parë drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit depozituan një kallëzim penal ndaj ish-kolegëve të tyre për akuzën e ‘’shpërdorimit të detyrës”, pasi sipas tyre moszbatimi I urdhër-arresteve solli fshehjen e provave për vrasjet në 21 Janar.
Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj
Në protestën e 21 Janarit 2011 u vranë 3 persona: Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe më pas humbi jetën edhe një protestues i katërt, Aleks Nika. Edhe pas refuzimit të Burgajt e Kuliçajt, urdhrat e arrestit u ekzekutuan më pas, duke vënë para drejtësisë ish-komandatët e Gardës Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.