Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla, ministri Majko dhe kryeparlamentari Ruçi reagojnë për ndarjen nga jeta në moshën 59 vjeçare të Marko Bellos, profesor e politikan i njohur socialist. Bello u nda nga jeta në mesnatë, pas 23 ditësh betejë me covid-19 në Turqi.
“Gjatë këtyre javëve beteje shpresuam çdo moment se Marko do t’ia dilte”, shkruan ndër rreshta Balla.
“Lamtumirë kolegut, ambasadorit, profesorit dhe mikut të dashur Marko Bello!
Gjatë këtyre javëve beteje shpresuam çdo moment se Marko do t’ia dilte. Sepse Marko ishte një njeri i fortë e plot energji. Unë kam patur personalisht mundësinë ta njoh prej vitit 1997 asokohe Ambasador i RSH në Rumani, për të vijuar si deputet e anëtar i Kabinetit Qeveritar deri në vitin 2005, më pas sëbashku kolegë në Grupin Parlamentar Socialist në Kuvendin e Shqipërisë.
Ngushëllimet më të sinqerta Silvës dhe fëmijëve për ndarjen e parakohshme të bashkëshortit dhe babait tyre të dashur. U prehsh në paqe, miku i mirë Marko Bello”, shkruan Balla.
Edhe socialisti Pandeli Majo e kujton Marko Bellon si një “shok që ndriçonte ditën me humorin e tij.”
“Marko Bello, deputet, ministër socialist dhe mik ka ndërruar jetë. Shok që dinte ta ndriconte ditën me humorin e tij, Marko zgjodhi të ishte një njeri me zemër dhe pastaj një politikan. Ngushëllime familjes”, shkruan Majko.
Një mesazh për ndarjen nga jeta të kolegut Bello ka shkruar dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
"Humbëm Markon, deputetin e denjë, patriotin e madh. Iku Marko, zë i fuqishëm qytetar dhe i qytetarëve", thotë ai.