Një 23-vjeçare nga Shqipëria është nën hetim nga autoritetet italiane për vrasjen e foshnjes së saj, pasi e braktisi atë buzë detit në qytetin e Barit.
Linda Rubino ishte gati të arratisej në Shqipëri pasi vuri re se hetimet ndaj saj po intensifikoheshin ditët e fundit, lidhur me braktisjen e foshnjes në shkëmbinjtë e plazhit në Cala Monaci, shkruan Newsbomb.al.
Ajo e mohonte vazhdimisht të kishte pasur ndërprerje të ciklit menstural në muajt e fundit, por pas presionit të hetuesve e pranoi duke thënë "nuk dija çfarë të bëja".
Ajo e lindi vajzën e saj në 15 shkurt në plazh por e braktisi buzë detit pa rroba ku u gjet disa orë më vonë nga një çift turistësh. Foshnja kishte ndërruar jetë për shkak të të ftohtit nga dallgët e detit që i lagën trupin e saj të vogël e të pambrojtur.
Aktualisht 23-vjeçarja shqiptare ndodhet në burgun e Tranit, ku ka përdorur të drejtën e saj për të mos iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve. Gjykata e Barit pritet të japë një masë paraprake për të në orët e ardhshme.
Hetuesit dyshojnë se nëna shqiptare ka abortuar edhe një herë tjetër, duke e braktisur foshnjen e porsalindur në spital, ku më pas u dha për adoptim, transmeton Newsbomb.al.
Linda Rubino njihet në rrjetet sociale me pseudonimin "Chica", ku ajo pasqyron një jetë normale. Por sipas shumë dëshmitarëve ajo ishte frekuentues e rregullt e klubeve të natës dhe nuk kishte një punë të qëndrueshme, megjithëse kishte mësuar vite më parë profesionin estetistes. /Newsbomb.al