Policia Kufitare godet një tjetër rast të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, sekuestrohen 31 pako me peshë 32 KG lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva dhe arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët në DVP-Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit : Mustafa Molla, 56 vjeç, banues në Tiranë.
Më datë 06.02.2017, shtetasi i mësipërm është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë, me automjetin tip “Peugeot” me targa AA546NS.
Nisur nga dyshimet e shfaqura ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e dyshemesë, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike.
Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit konkretisht në një vend të modifikuar (midis sediljeve) u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale : 31 pako të mbështjella me letër natriban me peshë 32 Kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva.
Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion Turqinë. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a dhe 22 i Kodit Penal.