Policia ka sekuestruar 43.4 kg drogë e llojit "Canabis sattiva", në Portin e Vlorës dhe ka shoqëruar poseduesin e saj Genci Gjuzi, 42 vjeç.
Shërbimet e Policisë, rreth orës 12:40, gjatë kontrollit që u kanë bërë automjeteve hyrëse-dalëse, në Portin e Vlorës, kanë konstatuar një automjet tip "Kamion-Renault" (transportues makinash) me targë: AA021MX, i cili dyshohej për lëndë narkotike.
“Strukturat e Policisë së Vlorës, pas kontrollit të imtësishëm që i kanë bërë këtij automjeti, kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 43.4 kg, "Cannabis" (13 pako), e cila ishte e mbështjellë me lëtër natribani të tejdukshme dhe e fshehur në pjesën e kabinës së këtij automjeti (poshtë sediles)”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar mjetin, gjithashtu ka bërë sekuestrimin e lëndës narkotike, në cilësinë e provës materiale.