Në 8-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në një nga lulishtet e garnizonit “Skënderbej”, u vendos një skulpturë e përkrenares së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Dhionis Dukoli.
Gjatë zbulimit të kësaj vepre arti, ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, zëvendesshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Dedë Prenga, autori i veprës, skulptori Dhionis Dukoli dhe ushtarakë e civilë që punojnë në këtë garnizon.
Në fjalën e saj ministra Kodheli falënderoi skulptorin Dukoli për dhuratën duke theksuar edhe ditën e veçantë në të cilën ajo vendoset. “Vendosja e një vepre artistike, e cila është dhuruar nga një qytetar i nderuar, artist, i cili pak kohë më parë shprehu dëshirën që veprën e tij, përkrenaren e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, t’ia dhuronte Ministrisë së Mbrojtjes, veprim të cilin ne e mirëpritëm dhe me shumë kënaqësi e vendosëm në një nga vendet më të dukshme brenda garnizonit “Skënderbej”. I nderuar z. Dhionis, unë ju falenderoj nga zemra për përkushtimin, për bujarinë që keni treguar për dhurimin e kësaj vepre. Shpresoj që vepra juaj ka vendin e duhur, piedestalin e së cilës ne kemi ngritur dhe unë besoj fort që ju bashkë me ne të kujtoni për vite të tëra mbas kësaj dite, që ne jo vetëm e kemi vendosur emrin dhe do të vazhdojë të rri këtu, por e kemi bërë këtë në një ditë të shënuar siç është 8-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.”- u shpreh znj. Kodheli, e cila i dorëzoi një certifikatë mirënjohjeje skulptorit Dukoli, i cili u shpreh se ndihej i nderuar nga vendi që zuri vepra e tij dhe nga vlerësimi i ministres Kodheli.
“Përkrenarja e Skënderbeut” është një vepër artistike e derdhur në beton dhe ka vlera monumentale.
Ajo është e lartë 2.75 m, me një diametër prej 1.1 m dhe peshon afërsisht 1 ton.