Presidenti i FSHF-së Armand Duka, nuk e fsheh dëshirën për të rikthyer tifozët në shkallët e stadiumeve. Që prej izolimit të vendit për shkak të pandemisë, ndeshjet e kombëtares dhe ato të ligës vendase luhen pa tifozë.
Në një intervistë për Ora News, Duka është pyetur nëse në ndeshjen që do të ketë Kombëtarja në mars me Anglinë, do të ketë bisedime me Qeverinë që të rikthehet në shkallët e “Air Albania” një pjesë e tifozerisë.
“Nuk mund të themi asgjë për momentin, kjo padyshim është edhe dëshirë e jona, dëshirë e të gjithëve e sidomos e futbollistëve, të cilët duan të kenë motivimin e tifozëve në shkallët e stadiumit. Edhe ne kemi aq shumë nevojë për atmosferë në fund të fundit pas gjithë këtyre zhvillimeve jo pozitive, por kjo nuk varet nga ne. Varet se si do të shkojë grafiku i përhapjes së virusit në Shqipëri, por uroj shumë që të kemi tifozë dhe duket jo vetëm si një urim, por si një shpresë reale”, ka thënë Armand Duka, president i FSHF-së.