Një video e cila qarkullon në internet tregon një realitet shumë të hidhur për fatin e objekteve arkeologjike në Shqipëri. Në vendin tonë gjithkush mund të gërmojë e të gjurmojë për thesare arkeologjike, pa e patur frikën e shtetit dhe pa e marrë mundimin të dorëzojë pranë institucionet përkatëse objekte të gjetura rastësisht apo jo.
Kjo video, në të cilën duken disa persona në një zonë të Çorovodës duke gjetur e më pas inspektuar një objekt në formë kupe, është denoncuar në internet nga studiuesi Altin Kocaqi, i cili u bën thirrje insitucioneve të investigojnë rastin. Sipas datës të stampuar në video, ngjarja ka ndodhur në vitin 2003.
Sipas Kocaqit, personat në video kanë gjetur Kupën e Lotëve, apo Kupën e famshme të Jezusit, e cila njihet si Grali i Shenjtë.
Personat gjejnë një kupë me mbishkrime të padeshifrueshme, një hartë, tre monedha dhe një gurr që pretendohet se është kozmik. Ja çfarë shkruan Altin Kocaqi në Facebook, lidhur me objektin:
“Atëherë per ju që e ndoqët videon po u përkthej se çfarë thotë harta që shfaqet në fund të videos. Kjo hartë bën fjalë për kupën e Kozma Etolianit e cila mungonte kur u gjet kufoma e tij dhe bashkë me eshtrat mungonte kryqi dhe kupa e lotëve. Kryqin bëhet fjalë se e ka marrë Camilio Prashniket, dijetari i njohur, ndërsa Kupën e Lotëve e mori dikush që u nis ta çonte në Malin e Shenjtë por që duke u ndjekur nga turqit ai ndaloi në Çorovodë dhe e fshehu të "Varri i Murgut". Pikërisht aty ku e shikoni dhe në video. Kjo kupë është dhuruar Kosma Etolianit nga patriarku i Stambollit.
Sipas hartës dhe shënimit, Kupa e Lotëve ka tre monedha me shkrim arabe brenda, të shpuar dhe një gurr kozmik. Është e rëndë 280-300 gram dhe nuk është prej ari. Shkrimi dhe harta e tregojnë se kjo është Kupa e Shenjte e Lotëve dhe që është shkruajtur me gërma kuniforme si ato të sumrëve gati 4500 vjet p e s. Në hartë këto cilësohen si "shkrimet e shenjta".
Pak kohë me parë nga shtepia botuese “Saras” është përkthyer libri "Guri i Gjarprit" në të cilin thuhet se "Kupën e Krishtit e ruajnë Shqiptarët".
Origjina e vërtetë e kësaj kupe, që duket në video me datën 2003, është mjaft e mistershme. Gjithsesi ajo që është shqetësuese është fati i këtyre thesarëve të tokës Shqiptare në duart e gabuara.