Kryeministri Edi Rama ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë, ku ka zhvilluar atje takime me zyrtarë gjermanë, ndonëse nga zyra e tij e shtypit nuk ka asnjë njoftim lidhur me to. I vetmi që jep disa detaje është Fate Velaj, këshilltari i kryeministrit për diplomacinë kulturore, i cili në facebook ka postuar një foto nga takimi që Rama ka zhvilluar në shtetin gjerman.
Interesant është edhe postimi tjetër i bërë po nga Velaj, që tregon se ai ndodhet në një hotel luksoz në Frankfurt të quajtur “Steigenberger Frankfurter Hof.”. Fotot e postuara nga Velaj nuk përmbajnë ndonjë përshkrim, megjithatë ato nuk është se kanë nevojë për koment.
Nuk dihet nëse edhe kryeministri dhe pjesa tjetër e stafit që e shoqëronte ndodhet në të njejtin hotel luksoz, apo kanë zgjedhur ndonjë tjetër. Ashtu siç mbetet e paqartë nëse në takimet me zyrtarët gjermanë është trajtuar çështja e azilkërkuesve shqiptarë, që pas sirianëve, përbëjnë numrin më të lartë të atyre që kanë populluar kampet gjermane.