A ka për t’i pranu i madhi Zot me vdek?

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:32 10-07-2019 A ka për t’i pranu i madhi Zot me vdek? Ne foto: Anta Mucaku, autore e artikullit

Nga ANTA MUÇAKU për newsbomb.al

“A ka për të pranu i madhi Zot me vdek? A ka me të pranu i madhi Zot atje?”

Me këto fjalë i drejtohej vajza nga Lezha babait të saj përdhunues i cili na kujtoi edhe njëherë se monstrat gjenden mes humanëve dhe shfaqen në format më të neveritshme të mundshme.

Mbrëmë “Fiks Fare” solli përmes regjistrimeve e përgjimeve, historinë tronditëse të vajzës 18-vjeçare që përdhunohej sistematikisht nga i ati që në moshën 15-vjeçare.

“Mendova të vij këtu sepse njerëzit nuk më besonin, sado që t’ua shpjegoja ishte e kotë, drejtësia të vihet në vend dhe shpresoj të jem vajza e fundit që ndodhem në këtë situatë”.

Kjo vajzë e guximshme na dha një leksion të vyer të gjithëve, na përplasi para syve dështimin tonë si shoqëri, mungesën e gadishmërisë për të dëgjuar, kuptuar e ndihmuar një viktimë të dhunës e seksualitetit.

Në rastin më të mirë ne zgjedhim të jemi indiferentë e në rastin më të keq, jemi të prirur që gishtin e akuzës ta drejtojmë nga viktima, të gjejmë medoemos fajin që ka ajo për atë që i ndodhi.

Megjithatë, duke i sfiduar të gjithë, vajzës i shkoi në mendje që me celularin që i kishin dhuruar, të regjistronte të atin, duke siguruar kështu ato prova, pa të cilat askush nuk ia vinte veshin.

Madje as policia. Një oficer që i kishte marrë dëshminë i kishte kujtuar se nëse denoncimi dilte i rremë, do dënohej ajo në vend të të atit dhe kjo gjë, të gjorën vajzë e kishte frikësuar.

E ndërgjegjshme që nuk kishte prova, tërheq denoncimin dhe përjeton sërish një seri përdhunimesh nga i ati.

Ndërkohë, ky oficer, që duhet shkarkuar e çuar me urgjencë për ndjekje penale, shkoi i qetë në shtëpi duke i lënë barrën e provës vajzës adoleshente që tashmë duhej të bënte edhe rolin e investigueses dhe hetueses për ta çliruar veten nga ai makth.

Pikërisht kur ajo mendonte se kishte gjithçka që i duhej në mënyrë që e ëma më në fund ta besonte e t’i dilte në krah, përballet me një tjetër dramë.

E ëma, një grua egoiste, gjakftohtë në kufijtë e çnjerëzores, thjesht i thotë së bijës se ajo do të jetojë aty ku është, pra nuk do që kjo histori t’i prishë rehatinë e mënyrën e jetesës.

Aspak e shqetësuar për dramën e thellë të së bijës dhe dështimin e saj si nënë, gruaja shkon edhe më tej duke i kërkuar vajzës të fshijë regjistrimet nga celulari.

Nëna bëhet kështu bashkëpunëtore e një krimi monstruoz që çuditërisht organet e drejtësisë as që e marrin në konsideratë.

Pas publikimit të pamjeve në media, Policia e Shtetit nisi me urgjencë dy rreshta njoftim ku bënte me dije se babai 48-vjeçar ishte arrestuar.

Në atë njoftim rutinor, të neveritshëm po aq sa akti i përdhunimit të babait, nuk kishte asnjë rresht për oficerin që i kërkonte viktimës të gjente provat dhe asnjë rresht për nënën e cila kërkoi të fshihte një krim.

Tani unë pyes: A ka për t’i pranu i madhi Zot me vdek këta njerëz të ligjit të cilët edhe pse janë përballë provave flagrante e të pakundërshtueshme, tentojnë të eklipsojnë një skandal dhe e kalojnë gjithçka me dy rreshta njoftim?

Pse nuk flet ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Lezhës, shoqatat për mbrojtjen e fëmijëve, media… Po shoqëria?!

Askush nuk duhet të gjejë qetësi derisa drejtësia të vihet në vend. Dhe drejtësia nuk vihet në vend thjesht duke arrestuar babain, por duke shkatërruar gjithë zinxhirin që shkaktoi dhe thelloi këtë dramë.

Sot në burg duhet të jetë ai oficer të cilit s’di pse nuk i është bërë publik ende emri. Sot në burg duhet të jetë edhe ajo nënë, jo për faktin që dështoi të ishte e tillë por sepse u shndërrua në kriminele dhe në vend t’i drejtohej të shoqit, i kërkonte llogari së bijës.

Media duhet ta ndjekë deri në fund këtë çështje e ndërsa shoqëria këtë duhet të ketë shqetësim primar, pasi kjo nuk është vetëm drama e një 18-vjeçareje që u përdhunua që në moshën 15-vjeçare, kjo është edhe drama jonë...

 

*Shënim: Për këdo që nuk e ka parë, linku i “Fiks Fare” dhe një falenderim i madh për stafin që bëri të mundur të dilte në dritë ky skandal!

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0072441101074219
array(1) { ["section"]=> string(45) "a-ka-per-t-i-pranu-i-madhi-zot-me-vdek-171750" }