Çështja e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të brendshëm të përfshirë në trafik droge vazhdon të mbetet ndër temat më të diskutuara politike për momentin.
Në studion e gazetarit Sokol Balla është duke u diskutuar rasti i Agron Xhafajt, dhe dëshmia e Albert Veliut, i njohur si “Bashkëpunëtori X” që Partia Demokratike pretendon se është i njëjti person në audio-përgjimin që Partia Demokratike publikoi.
Mes të ftuarëve është deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka dhe analisti Alfred Lela. Ky i fundit, për sa i përket dëshmisë së Veliut, shprehet se është një dëshmi e pastër dhe që nuk ka ndërhyrje nga PD edhe pse ka pasur mundësi të ndërhyjë.
“PD ka pasur në dorë të hiqte dhe të linte cfarë të donte”- u shpreh Lela por hasi në kundërshtimin e gazetarit Sokol Balla, pasi sipas tij deklarata e Albert Veliut ka diçka të dyshimtë dhe ka mjaft kontradikta.
Në një moment Lela i drejtohet Gazetarit: "A mund të ecim në këpucët e Albert Veliut", ndërsa gazetari ia ka prerë shkurt: "Më mirë të eci zbathur se në ato këpucë", dhe më pas shtoi se ishte thjesht një shaka.