Ambasada e SHBA është interesuar për çështjen e lirisë së shprehjes dhe medias në vend. I është drejtuar edhe gazetarit Adi Krasta për Programin International Visitors Leadership.
“Ngjarjet që ndodhin në botë, na kanë shtuar mendimet mbi vlerën e fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes. Ne pyetëm disa nga pjesmarrësit e programeve tona të shkëmbimit që të na thonin me fjalët e tyre, se çfarë do të thotë për ta, si shqiptarë, liria e shprehjes dhe e fjalës” shkruan ambasada.
“Si shqiptar do ishte e pafalshme për mua të harroja çfarë shkakton një diktaturë. Sa shumë është e lidhur mungesa e Lirisë Së Fjalës dhe Shprehjes me vetë egzistencën dhe fshirjen e të gjithë të drejtave e lirive të tjera. Në këto vite të një tranzicioni të rrëmujshëm përveç presionit të pandalshëm të qeverisjeve, me censurën dhe rrezikun e vazhdueshëm të propagandës dhe fshehjes së fakteve, një tjetër armik hilanjos rritet brenda nesh: autocensura. Tanimë "Demokratura" nuk duket të jetë një krijim artificial i retorikës së përditshme. Si një shqiptar unë nuk duhet asnjëherë të harroj se sa e sofistikuar bëhet mbyllja e gojes, blerja e heshtjes dhe vetë bashkëpunimi fajtor me qeverisjet që në Shqipëri janë po aq të paçiltra e manipuluese sa edhe në vendet e tjera të rajonit tonë, një rajon ende demokratikisht i pazhvilluar. Si shqiptar unë jam i ndërgjegjshëm që për mua liria e fjalës dhe e shprehjes nuk është një luks stilistik, është një realitet i domosdoshëm të egzistuari, si njeri dhe profesionist, larg qendrave të pushtetit dhe në besnikeri të pa vënë në pyetje kundrejt publikut dhe parimeve të mia të palëkundshme”, thote Adi Krasta.