Një person i pajetë është gjetur para pak mintash në lagjen nr 7 në Korçë, përballë Pallatit të Kulturës. Dyshohet se shkak për vdekjen e tij është bërë i ftohti. Sipas burimeve, viktima është ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç.
E vetmja gjë që dinë korçarët për viktimën është emri i tij, Agim.
Sipas qytetarëve dhe dëshmive të tyre, 55 vjeçari prej 6 vitesh jetonte në qytetin e Korçës por kurrë nuk i kishte thënë asgjë askujt për mbiemrin e tij, origjinën nga vinte apo pse kishte zgjedhur të jetonte në Korçë.
Dëshmitarët thonë se pronari i ish-hotel Krimeja i kishte lëshuar prej 6 vitesh dhomën që dikur kishte shërbyer si recepsion hoteli.
55 vjeçari të ardhurat i siguronte nga mbledhja e kanaceve ndërsa sot, pronari i ish-hotelit kur ka shkuar për të parë rubinetat e ujit, i ka rënë derës së hotelit, ka thirrur emrin e Agimit por askush s’i është përgjigjur. Pasi ka shpërthyer derën, e ka parë 55 vjeçarin të mbështjellë me batanije por pajetë.
Dyshohet se vdekja e tij ka ardhur si pasoje e të ftohtit. Dy persona kanë humbur jetën deri tani në Korçë nga i ftohti.