Një aksident ka ndodhur në minierën e Bulqizës nga ku ka mbetur një i vdekur dhe një i plagosur. Mësohet që viktima dhe minatori i plagosur janë shtetas kinezë.
Ata kanë qenë në minerën e Bulqizës gjatë proçesit të punës për hapjen e Pusit të Thellësisë kur janë aksidentuar. He Chuan dhe Du Dabing kanë qenë duke punuar në shpimin vertikal të pusit ku edhe do vendoset ashensori në nivelin e 5-të. Punonjësit ishin pjesë e shoqërisë kineze Xi-an Xingang Energy Engineering Technology Co. Ltd. dhe Wenzhou Mining Co Ltd”. Njëri prej punonjësve si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën ndërsa tjetri po transportohet me helikopter drejt Tiranës për të marrë ndihmën dhe trajtimin e specializuar.
Në këtë moment specialistët po bëjnë vlerësimin e aksidentit për të kuptuar më shumë rreth shkaqeve të aksidentit që përfshiu dy prej punonjësve të kompanisë Xi-an Xingang Energy Engineering Technology Co. Ltd. dhe Wenzhou Mining Co Ltd”.
Dyshohet se shkak i këtij aksidenti është bërë shembja e një masivi gurësh.