Policia e Vlorës ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një operacion në zonën e fshatrave të Lumit, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë, që vepronte në fushën e krimeve kundër personit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasit: Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, Miço Beqaraj, Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.
Turi Aligjoni dyshohet si autori i plagosjes me armë zjarri dy ditë më parë në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë sekuestruan katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, sasi municioni luftarak, shtatë telefona celularë, 1,850 euro si dhe tre automjete.
Hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.


