Artan Tafani dhe Kristi Bixheku, dy anëtarë të bandës së Laert Haxhiut, janë dënuar me burg nga Gjykata e Posaçme. Vendimi është dhënë këtë të martë, me në total 10 vite e 6 muaj burgim për të dy, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ata do të qëndrojnë më pak në qeli.
Shtetasi Artan Tafani, i cili është edhe i penduari i drejtësisë që fundosi grupi, është shpallur fajtor për veprat penale:
- “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në formë të vecantë të bashkëpunimit,
“Grup i strukturuar kriminal”,
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në lidhje me ngjarjen e datës 06.07.2022, rreth orës 21:00, në Lushnje, në dëm të shtetasit R.G, të parashikuar përkatësisht nga nenet 80, 28 pika 4, 333/a paragrafi 2 dhe 334 të Kodit Penal.
Artan Tafani është dënuar me 7 vite burg, dënim i cili pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg. Në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, gjykata i ka zbritur përfundimisht dënimin në 2 vite e 4 muaj burg.
Ndërkohë, shtetasi Kristi Bixheku është shpallur fajtor për veprat penale:
- “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në formë të veçantë të bashkëpunimit,
“Grup i strukturuar kriminal”,
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”,
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2022, në Lushnje, në dëm të shtetasit B.T, të parashikuar përkatësisht nga nenet 152 paragrafi 1, 28 pika 4, 333/a, paragrafi 2, si dhe 278 paragrafi 1 të Kodit Penal;
Gjykata e Posaçme e ka dënuar Kristi Bixhekun me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij zbret në 2 vite e 4 muaj burg. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 8 vite burg, ose 6 vite me gjykim të shkurtuar, por gjykata e ka gjetur të pafajshëm për disa nga episodet e ngritura në akuzë.
