Valës së protestave që ka përfshirë vendin prej ditësh iu shtuan edhe qytete të tjera. Në Korçë, për të pestën ditë radhazi qytetarët dolën në shesh me pankarta dhe flamuj kuqezi, duke mbajtur parullën “Atdheu nuk është në shitje” dhe duke paralajmëruar se nesër do të jenë edhe më shumë.
Në Elbasan, dhjetëra protestues u mblodhën në sheshin kryesor, ku me pankarta dhe fjalime kërkuan largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës nga politika.
Në Gjirokastër u zhvillua dita e tretë e protestës kundër projektit në Zvërnec, ku qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimeve të planifikuara.
Edhe Lezha iu bashkua sot protestave. Një numër i madh qytetarësh marshuan në rrugët kryesore të qytetit, duke shprehur pakënaqësi për gjendjen ekonomike dhe sociale dhe duke mbajtur pankarta e brohoritje kundër qeverisë.
Ndërkohë, në Tiranë protesta ka hyrë në ditën e saj të dhjetë. Mijëra protestues, kryesisht të rinj, vijuan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit me thirrjen në kor për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata bënë thirrje që edhe më shumë qytetarë të bashkohen në protestën vendimtare për largimin e qeverisë.
