Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka bërë thirrje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, BE thekson se një zonë e mbrojtur është një hapësirë natyrore që ruhet me ligj nga shteti, me qëllim mbrojtjen e bimëve, kafshëve dhe peizazheve të veçanta.
Në postim, Delegacioni i BE-së fton qytetarët të njihen me gjashtë nga Parqet Kombëtare të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e tyre për ruajtjen e habitateve dhe specieve të rralla.
“Këto zona janë pjesë e vizionit të rrjetit Natura 2000 për mbrojtjen e natyrës sipas standardeve evropiane. Ato mbështesin jetën e komuniteteve dhe mbrojnë habitate e specie të rralla që i japin jetë ekosistemeve çdo ditë”, thuhet në postimin e BE-së.
Mesazhi vjen në një kohë kur zona e Nartës dhe Zvërnecit është në qendër të debatit publik, pas shqetësimeve dhe akuzave se ndërhyrjet në këtë zonë mund të cenojnë statusin e saj si zonë e mbrojtur, duke nxitur protesta apolitike në Tiranë dhe së fundmi në Vlorë e Durrës.
Delegacioni i BE-së e mbyll mesazhin me thirrjen: “Sa më shumë e njohim natyrën tonë, aq më shumë kuptojmë pse duhet ta mbrojmë. Mbro natyrën, sa je në kohë.”
Vlen të theksohet se kjo thirrje është sponsorizuar në rrjetet sociale nga europianët për të maksimizuar shikueshmërinë.
Postimi i plotë:
Një zonë e mbrojtur është një hapësirë natyrore që shteti e ruan me ligj për të mbrojtur bimët, kafshët dhe peizazhet e saj të veçanta. Në këto zona, aktivitetet njerëzore kontrollohen dhe kufizohen, në mënyrë që natyra të ruajë ekuilibrin e saj.
Shfleto galerinë për t’u njohur me 6 nga Parqet Kombëtare të Shqipërisë dhe zbulo më shumë rreth karakteristikave të tyre unike dhe specieve që jetojnë në këto habitate.
Këto zona janë pjesë e vizionit të rrjetit Natura 2000 për mbrojtjen e natyrës sipas standardeve evropiane. Ato mbështesin jetën e komuniteteve dhe mbrojnë habitate e specie të rralla që i japin jetë ekosistemeve çdo ditë.
Sa më shumë e njohim natyrën tonë, aq më shumë kuptojmë pse duhet ta mbrojmë.
Mbro natyrën, sa je në kohë.
