I ftuar në emisnionin "Now", në Euronews Albania profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço e quajti protestën model”, duke theksuar se ishte e qetë, e disiplinuar dhe korrekte. Gjithashtu Karamuço kritikoi vendosjen e perimetrit për sigurinë e Izraelit në bulevard, që solli tensione dhe përdorimin e ujit ndaj fëmijëve.
“Unë i besoj zemërimit të pastër qytetar që e shikoj, që e shikoj te Marini e te shumë të tjerë që njoh nga shoqëria civile. Por ky është një ushtrim i demokracisë. Ky duhet të vazhdojë, ky zgjim i madh se si po zhvillohet duhet të vijojë.
Protesta model! Shumë të qeta, shumë të disiplinuara, shumë korrekte. I shikoj edhe në formate. Tani, gjuha e dhunës, gjuha e urrejtjes, aty do apo s’do, disa që marrin mikrofonin dhe e kanë. Por unë e shikoj më shumë virtuale gjuhën e urrejtjes. Aty njerëzit janë shumë më të kulturuar. Shikoj policinë shumë më të qetë dhe më të disiplinuar.
Ka pasur vetëm një çedim, nuk mund t’i vendosësh ti perimetër në mes të bulevardit protestuesve, duke thënë që “kemi perimetrin e sigurisë për Izraelin”, në një ditë që ishte një protestë, disi ishte e ndezur. Dhe pastaj u detyruan, hodhën ujë. Po uji ku? Te fëmijët." tha ai.
Karamuço vlerësoi sjelljen e policisë, duke thënë se ishte e disiplinuar dhe menaxhoi situatat me kujdes. Sipas tij, dhuna dhe urrejtja shfaqen më shumë në hapësirën virtuale sesa mes protestuesve.
"Problemi është te të infiltruarit. Këtu futemi te çështjet e sigurisë, te provokatorët që duan ta prishin, rrezik ka çdo ditë edhe pa qenë. Në një protestë normale, provokatorët, të infiltruarit, njerëz për shumë qëllime të tjera përtej atyre të protestës, mundet të bëjnë eksese. E gjejnë, kanë filluar bëjnë ndonjë sherr aty-këtu, po policia i menaxhon në distancë, vetë qytetarët mundohen t’i zgjidhin e të tjerë e të tjerë. Pra ka nga këta." shtoi Karamuço.
Karamuço tha se njerëzit duhet të lejohen të protestojnë lirshëm, ndërsa provokatorët nuk kanë vend në turmë. Ai theksoi se protestat janë pjesë e zhvillimit demokratik, por nuk duhet të cenojnë rendin dhe sigurinë publike e kombëtare.
"Lëreni njerëzit e lirë të protestojnë. Këta që kanë axhenda të tjera në perimetër, s’kanë punë këta me protestën! Turma është e vetëkontrolluar. Nuk e kontrollon dot policia, është e vetëkontrolluar. Problemi është të mos ketë, individë problematikë me qëllime provokative që pastaj mund të kalojnë në përplasje, ku turma ose ata qytetarë do mbajnë kostot. Pra, për një apo dy persona mbahen kostot.
Kjo nuk është për të futur panik që mos dilni në protestë se do ketë. Po kjo është për të pasur vigjilencë që këta njerëz mos e infektojnë protestën. Ne duam zhvillime demokratike, por jo cenim të rendit dhe të sigurisë publike dhe kombëtare. Pra për këtë jemi ne", u shpreh ai.
