Rreth 24 orë pas vrasjes së rëndë që tronditi Tiranën, Forcat Speciale RENEA në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar operacionin për kapjen e Sadik Llanit, i cili po kërkohet pasi dyshohet si autori i ekzekutimit të 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz.
Burime bëjnë me dije se gjatë orëve të fundit efektivët e RENEA-s kanë zbarkuar në zonën e Fushë-Krujës dhe në disa lagje të Kamzës, ku kanë ushtruar kontrolle në dhjetëra banesa dhe ambiente të tjera, pasi dyshohet se 39-vjeçari mund të jetë duke u fshehur në këto zona.
Operacioni vijon me intensitet të lartë, ndërsa autoritetet kanë ngritur postblloqe dhe po verifikojnë çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e të shumëkërkuarit. Sipas Policisë së Shtetit Sadik Llani dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për këtë arsye, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos tentojnë të ndërhyjnë apo të përballen me të në rast se e konstatojnë, por të njoftojnë menjëherë autoritetet përmes numrit të emergjencës 112 ose linjave të dedikuara të policisë.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur në Paskuqan, ku Ardian Baloshi mbeti i vrarë pas të shtënave me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes hetuesit kanë sekuestruar 10 gëzhoja, ndërsa dyshohet se autori ka tentuar të qëllojë edhe ndaj një personi tjetër, i cili ka arritur t’i shpëtojë plumbave.
Për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e Sadik Llanit Policia e Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh, duke garantuar anonimatin dhe konfidencialitetin e plotë të qytetarëve që bashkëpunojnë me autoritetet.
