Një gjykatë në Oshijek të Kroacisë ka dhënë verdiktin e dënimit me 6 vite e gjysmë të “dorës së fshehtë të korrupsionit në futbollin kroat”, Zdravko Mamic.
Ai është gjetur fajtor për transferim të paligjshëm të parave gjatë kohës që mbante postin e shefit ekzekutiv të klubit të Dinamos së Zagrebit. Bashkë me Mamic janë dënuar: vëllai i tij Zoran Mamic, ish trajneri i Dinamos; Damir Vrbanovic, ish-drejtor i klubit dhe Milan Pernar, inspektor i taksave.
Gjatë dhënies së vendimit asnjëri prej të pandehurve nuk ka qenë prezent në sallën e gjyqit. Zdravko Mamic ndodhej në Bosnje-Hercegovinë gjatë kohës kur zhvillohej seanca ndaj tij.
Ai konsiderohet nga tifozët kroatë si “njeriu kyc në abuzimin dhe shkatërrimin e futbollit kroat”. Prej vitesh ai është akuzuar për përfitime të paligjshme nga shitja e lojtarëve të ekipit të Dinamos, ku midis tyre ka qenë dhe ylli i Real Madridit Luka Modric.