Akuzat për rrugën Berat-Ballaban, reagon drejtori i ARRSH: Është segment i rrezikshëm, aty u përmbys autobusi

Publikuar tek: aktualitet, më 19:18 01-10-2020 Akuzat për rrugën Berat-Ballaban, reagon drejtori i ARRSH: Është segment i rrezikshëm, aty u përmbys autobusi Ergys Verdho

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar reagon pas akuzave në media për tenderin e rrugës Berat-Ballaban. Ergys Verdho thotë se bëhet fjalë për një prej rrugëve më të rrezikshme në vend.

Ditën e sotme në media qarkulluan artikuj lidhur me tenderin prej 707 milion lekë që janë dhënë për ndërtimin e këtij aksi, ndonëse artikulli thotë se kjo rrugë është paguar plot 11 herë, por s’është ndërtuar kurrë.

Verdho thotë se në këtë rrugë kanë ndodhur disa aksidente me humbje jete, ndër to edhe përmbysja e një autobusi. Ai sqaron se për ndërtimin e rrugës ka dy variante, ndër to edhe mundësia për gjurmë të re.

Reagimi i plotë i Verdhos:

E vërteta e rrugës Berat-Ballaban

Projektet e rrugëve në Shqipëri janë hartuar në vite, përfshirë edhe vitin 1974, nga Instituti i Projektimeve nr. 2, pranë ish-Ministrisë së Ndërtimit. Ato kanë respektuar një standard të asaj kohe për një gjerësi të pjesës kaluese rreth 4m.

Gjatë viteve ’90 e në vazhdim kryesisht projektet kanë konsistuar në zgjerimin e rrugëve në gjurmën ekzistuese, duke iu përshtatur edhe nevojave të rritjes së trafikut.

Segmenti Berat-Ballaban është pjesë e aksit rrugor interurban Berat–Ballaban–Këlcyrë–Përmet me gjatësi rreth 100km. Vitet e fundit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është investuar për asfaltimin e segmentit Ballaban–Këlcyrë. Në gjithë pjesën tjetër, e cila është rrugë e ngushtë me çakull, janë kryer vetëm punime mirëmbajtje.

Ndërkohë kushtet Teknike të Projektimit nga viti 1974 deri në vitin 2020 kanë pësuar përmirësime dhe ndryshime lidhur me parametrat gjeometrikë. Më qëllimin për të pasur një projekt me parametra të reja sipas Rregullave Teknike të Projektimit të vitit 2015, lindi e nevojshme studimi dhe projektimi i aksit Berat – Ballaban.

Në termat e referencës i është kërkuar konsulentit të paraqesë jo më pak se dy variante ku nuk përjashtohet mundësia edhe për një variant me gjurmë të re. Kjo për të vetmen arsye se rruga aktuale është me shumë kthesa me rreze të vogël, me serpentina dhe pjerrësi të mëdha që përbëjnë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës.

Nuk duhet harruar se përgjatë këtij aksi kanë ndodhur aksidente me humbje jete, sikurse është aksidenti i përmbysjes së një autobusi në afërsi të fshatit Tërpan. Kësisoj qëllimi i vetëm i projektit ka qenë dhe do të jetë përmirësimi i gjendjes së këtij segmenti të rëndësishëm rrugor, nga i cili përfitojnë jo vetëm përdoruesit e rrugës, por edhe komuniteti i zonës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.011651992797852
array(1) { ["section"]=> string(113) "akuzat-per-rrugen-berat-ballaban-reagon-drejtori-i-arrsh-eshte-segment-i-rrezikshem-aty-u-permbys-autobusi-222372" }