Specialistët e Sektorit për Krimet Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme kanë finalizuar me sukses operacionin policor "Shtërngimi” në qytetin e Tropojës.
Si rezultat i këtij operacioni është bërë arrestimi në flagrancë i shtëtasëve E. Hajdarmataj,18 vjeç, dhe D. Gjomakaj, 18 vjeç, të dy banues në Tropojë.
Arrestimi i tyre në flagrancë u bë në momentin kur këta shtetas ishin duke marrë shumën e parave të kërkuara në formë shtrëngimi (gjobëvënie) ndaj një personi të cilin e kanë kanosur psikologjikisht.
Personat e lartpërmendur, nëpërmjet teknikave kompjuterike të paligjshme kanë marrë në administrim të dhëna personale intime të të demtuarit nga profili i tij ne rrjetin social Facebook, dhe prej disa muajsh e kanë shantazhuar atë për të dhënë vlera pasurore, si shpërblim për mos publikimin e ketyre të dhënave.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy aparate telefonik celular Smartphone me kartat SIM dhe një njësi kompjuterike të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Materialet në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i kaluan për ndjekie të mëtejshme Prokurorisë për Krimet e Rënda, për veprën penale "Shtrengimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.