Eranda Cuci do të jetë drejtoresha e re Doganës së Durrësit. Cuci është emëruar në këtë post pas largimit nga Dogana e Tiranës.
Në vitin 2013, pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, Eranda Cuci u emërua në krye të Doganës së Tiranës dhe Partia Demokratike e konsideroi këtë veprim si një shfaqje të hapur të nepotizmit që ka prekur administratën shqiptare. Cuci është motra e bashkëshortes së ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili pavarësisht kritikave të shumta, argumentoi se emërimi i Cucit në krye të Doganës së Tiranës në vitin 2013, erdhi si rrjedhojë e aftësive dhe eksperiencës së saj.
Pas largimit si drejtoreshë e Doganës së Tiranës, emri i kunatës së ministrit Beqaj shfaqet sërish, kësaj here në emërimin në krye të një tjetër dogane të rëndësishme në vend, atë të Durrësit.
Shpesh herë opozita dhe mediat kanë denoncuar emërimet nepotike dhe politike të bëra në administratën e vendit dhe bazuar në këto denoncime, këto sëmundje kanë prekur masivisht doganat shqiptare dhe drejtorinë e tatimeve.
Një tjetër lëvizje që ka prekur doganat shqiptare është edhe largimi i Mirarbër Teneqexhi si drejtor i Doganës së Tiranës, i cili është zëvendësuar në këtë post nga Pandi Duro.