Alarm për atentate terroriste në Evropë gjatë Vitit të Ri

Publikuar tek: bota, më 16:06 27-12-2015 Alarm për atentate terroriste në Evropë gjatë Vitit të Ri

Një alarm për atentate terroriste në të gjitha kryeqytetet evropiane gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri vjen nga Austria, ditën kur prokuroria boshnjake njoftoi se kishte mënjanuar një sulm të tillë, ku parashikohej të vriteshin 100 persona.

”Anëtarët e një grupi islamik radikal, të cilët u arrestuan nga policia gjatë kësaj jave në Sarajevë, kishin planifikuar një sulm vdekjeprurës në qytet më 31 dhjetor”, deklaroi prokurori  boshnjak, Dubravko Kampara.

Prokuroria vendosi dje të kërkojë arrest me burg për tetë nga 11 të arrestuarit më 22 dhjetor, ndërkohë që gjykata pranoi këtë kërkesë.

Sipas Kapmapras, ka dëshmi që tregojnë se të arrestuarit kishin planifikuar sulme, ku mund të vriteshin mbi 100 persona.

Tensioni pra, duket se është tepër i lartë në ndërkohë që shefi i ISIS-it rikthehet në skenë.

Abu Bakr al Baghdadi siguron se ”Kalifati” i tij nuk ka pësuar asnjë dëm nga sulmet e koalicionit ndërkombëtar. Madje, ai kërcënon edhe Izraelin.

Ishte shefi i policisë së Vjenës ai që foli për një rrezik gjatë festave.

”Një mesazh i tillë u është drejtuar të gjitha kryeqyteteve evropiane, disa ditë përpara 25 dhjetorit, nga shërbimet sekrete të një vendi mik”, thotë shefi i policisë së Vjenës.

”Atentatet mund të kryhen me bomba apo armë. Pikërisht një bombë kërkonin të përdornin 11 terroristët e arrestuar në Sarajevë, të cilët kishin lidhje me ISIS-in”, shton ai.

”Mendonin ta vinin poshtë një makine policie apo në një vend me njerëz të mbledhur për të festuar Vitin e Ri”, thekson shefi i policisë së Vjenës.

Këto janë fjalë që përputhen me ato të thëna nga Al Baghdadi, i cili u bë i gjallë me një mesazh zanor prej 24 minutash, edhe pse autenticiteti nuk mund të vërtetohet dhe i hedhur në faqet e internetit të përdorura edhe më parë për kërcënime të ngjashme.

“Të keni besim se Zoti do të garantojë fitoren e njerëzve që e adhurojnë. Do të dëgjoni lajmin e mirë se shteti ynë funksionon. Sa më shumë shtohet lufta kundër tij, aq më i fortë bëhet ai”, thotë Al Bagdadi në mesazhin zanor.

Al Baghdadi, për të cilin njoftohet shpesh se është vrarë apo plagosur, por që gjithmonë përgënjeshtrohet,  kërcënon më pas Izraelin.

“Palestina nuk do të jetë kurrë toka apo shtëpia juaj, por varri juaj”, u drejtohet izraelitëve Al Bagdadi.

Së fundmi, ”kalifi” kërcënon edhe Arabinë Saudite, që është rreshtuar në koalicionin e vendeve myslimane kundër terrorizmit.

Megjithatë, vjen edhe ajo që mund të jetë një goditje e rëndë për negociatat e paqes për Sirinë, që ende duhet të fillojnë muajin e ardhshëm në Gjenevë, me vrasjen e djeshme pranë Damaskut, të Zahran Allushit, liderit të organizatës kryesore rebele islamike në rajon.

Me 20 000 milicë dhe e mbështetur nga Arabia Saudite, kjo organizatë është armike e ISIS-it, por që frymëzohet nga një ideologji fondamentaliste dhe është akuzuar për dhunë kundër alavitëve, ndjekës të sektit shiit të presidentit sirian, Bashar al Assad.

“Sulmi është një përpjekje për të dështuar iniciativën e OKB-së për një zgjidhje politike”, konfirmoi sot koalicioni kombëtar i forcave revolucionare dhe të opozitës siriane.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.011569976806641
array(1) { ["section"]=> string(63) "alarm-per-atentate-terroriste-ne-evrope-gjate-vitit-te-ri-28669" }