Alarmi 410 diga rezervuarësh në Shqipëri janë në rrezik

Publikuar tek: ekonomi, më 18:06 09-08-2017 Alarmi 410 diga rezervuarësh në Shqipëri janë në rrezik

Këshilli Kombëtar i Ujit ka bërë së fundmi një analizë për gjendjen e sigurisë së digave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente në 65% të tyre.

Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si për sa i takon sigurisë së digave, ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë.

Analiza tregon se, në 27% të tyre ka dëmtime në trupin e digës, 29% dëmtime të shkarkuesit katastrofik, 30% dëmtime të ujëlëshuesit, 14% dëmtime njëkohësisht të trupit të digës dhe shkarkuesit katastrofik/ujëlëshuesit.

Në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Këshilli Kombëtar i Ujit thotë se, kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim dhe kupat e rezervuarëve janë mbushur me aluvione. Kapaciteti ujor i projektuar për të 626 rezervuarët ka qenë 560 milionë m³ ujë, ndërsa kapaciteti total aktual shkon në rreth 300 milion m³ për sezon ujitjeje.

Ekspertët rekomandojnë abandonimin e rreth 70 digave me rrezik shembje, të cilat kanë humbur funksionin e përdorimit dhe nuk e justifikojnë koston e rehabilitimit.

Objektivat kryesore për digat dhe rezervuarët, për t’u arritur brenda një periudhe 10 – 15 vjeçare, janë largimi i mbetjeve nga kupat e rezervuarëve për ta rritur kapacitetin aktual nga 45% në 90% të atij të projektuar dhe ndërtimi i rezervuarëve të rinj aty ku mund të ndërtohen dhe shfrytëzohen në mënyrë të sigurt.

Ekspertët thonë se është e domosdoshme rritja e kapacitetit të rezervuarëve për të plotësuar me ujë sipërfaqen potencialisht të ujitshme dhe efektin e ndryshimeve të pritshme klimatike, shkruan Monitor.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021772861480713
array(1) { ["section"]=> string(61) "alarmi-410-diga-rezervuaresh-ne-shqiperi-jane-ne-rrezik-88666" }