Një çantë e dyshimtë në një stol ka vënë në lëvizje të gjithë efektivët antieksplozivë dhe ata të policisë për të evakuar të gjithë qytetarët që ndodhen tek Parku Rinia në Tiranë, por pas shpërthimit të komanduar, gjithçka ka rezultuar false. Megjithatë policia ka shoqëruar një person, që mësohet se është pronari i çantës. Ai quhet Bruno Pëllumbi dhe është nga Lezha si dhe studion në Gjeologji-Miniera.
Studenti Pëllumbi është shoqëruar në Komisariatin Nr.3 në kryeqytet.
Mësohet se tek restorant Tajvani, që ndodhet tek Parku Rinia, kryeministri Edi Rama kishte planifikuar një drekë me mësues e gra për festat e 7-8 marsit. Në çantë u gjetën dokumente dhe gazeta.
Një kalimtar ka pikasur një çantë të dyshimtë ngjyrë blu, ku sipër saj ishte shkruar: “Mos e prek’’. Ai ka lajmëruar menjëherë policinë e cila ka shkuar në vendngjarje.
Policia ka rrethuar zonën duke evakuar të gjithë qytetarët që ndodheshin në perimetrin e rrezikshmërisë por edhe ata pak më larg. Parku Rinia sot ka qenë i mbushur me njerëz, pasi duke qenë fundjavë, qytetarët e zgjedhin për të kaluar orët e paradites.
Po kështu janë mbyllur të gjitha lokalet dhe dyqanet në këtë zonë. Specialistët zbuluan se nuk kishte asnjë sasi eksplozivi në të.
Parku ndodhet në qendër të Tiranës, në një nga zonat më të populluara. Pranë parkut ndodhet edhe Ministria e Mbrojtjes. Ngjarjet me eksploziv në kryeqytetin shqiptar janë bërë të zakonshme, që pas shpërthimit të farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, ish-shefit të Komisariatit Nr.3 Alfred Nomanit dhe 3 alarmeve të tjera për bombë. Jo më larg se dje u zbulua në Tiranë një pako eksploziv, vendosur në qepenin e një Internet-Kafe në zonën e Brrylit që fatmirësisht u zbulua nga policia në kohë dhe nuk u shpërthye.
Parku Rinia dhe zona përreth. Me rreth të kuq zona ku u gjet çanta e dyshimtë, që nuk kishte eksploziv