ALARMI / KLSH auditon AKU-në: Të paaftë të garantojnë sigurinë ushqimore në vend

Publikuar tek: aktualitet, më 18:38 21-08-2017 ALARMI / KLSH auditon AKU-në: Të paaftë të garantojnë sigurinë ushqimore në vend

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin “Siguria Ushqimore” në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke evidentuar një sërë shkeljesh socio-ekonomike, me përfundimin se AKU nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend.

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.

Shkeljet e konstatuara:

-          AKU dhe kryesisht Sektori juridik, nuk ka sistemuar dokumentacionin për gjobat e ankimuara, nuk i ka plotësuar rregullisht dosjet përkatëse, nuk ka protokoll të mbledhjeve të komisionit, në përgjithësi nuk janë respektuar afatet e shqyrtimit të ankimimeve, duke ulur ndjeshëm efektin e penalizmit të subjekteve  në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

-          Në mjaft raste komisioni ka marrë vendim për ri-inspektim ose verifikim ankese, gjë që është në kundërshtim me kodin e procedurave administrative, i cili përcakton lënie në fuqi, shfuqizimin/ revokimin dhe ndryshimin e aktit administrativ, duke pranuar pjesërisht ankimin.

-          Megjithëse ka ndodhur që gjatë shqyrtimit është konstatuar mangësi nga ana e inspektorëve, duke vendosur shfuqizimin e aktit, drejtori i përgjithshëm nuk ka iniciuar marrjen e masave disiplinore për inspektorët përkatës.

-          Duke filluar nga viti 2013, AKU ka prirje të ulë numrin e gjobave të vjela dhe vlerën e tyre, e lidhur kjo drejtpërdrejtë me veprimtarinë sektorit juridik, pasi në se nëpërmjet shërbimit përmbarimor në vitin 2013 janë vjelur 68 % e gjobave, në vitin 2016 janë tre herë më pak.

-          Subjektet e ndëshkuara me gjobë për periudhën 2012-2016 kanë paguar vullnetarisht një përqindje shumë të vogël që është mesatarisht rreth 5 % e vlerës, me prirje të ulet ndjeshëm në 2.6 % në vitin 2016, për më tepër që në rajone si Tirana dhe Vlora nuk paguhet asnjë gjobë vullnetarisht.

-          AKU, i ka bërë të njohur konsumatorit herë pas here rezultatet e veprimtarisë së tij mbi numrin e inspektimeve dhe të masave administrative në përgjithësi, pa cilësuar emrin e subjektit që vepron në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të shëndetit të popullatës.

8.  Lidhur me çështjen se sa është mbështetur aktiviteti i AKU nga rrjeti i laboratorëve rajonal:

-          AKU kryen analizat në laboratorë të paautorizuar akoma nga Ministri i Bujqësisë, i cili duhet të miratojë me urdhër listën e tyre, duke  përcaktuar tipin e laboratorit dhe analizat, që janë të autorizuar të kryejnë.

-          Konstatohet se ka prirje të rënies së numrit të mostrave të analizuara me 27 % (ose 4,873 mostra), në një kohë që rritet numri i operatorëve të biznesit ushqimor dhe përfshihen gjithnjë e më shumë ushqime të reja dhe tradicionale, si dhe përsoset industria përpunuese ushqimore.

-          Ka rënie të treguesve analitikë për mostër nga 3.4 në vitin 2012 në 2.3 në vitin 2016, çka do të thotë se, ndërsa modernizohet gjithnjë më shumë prodhimi, përpunimi, shpërndarja dhe tregtimi i llojeve të ushqimeve, treguesit e analizuar për një mostër bien, duke ulur ndikimin e veprimtarisë analizuese laboratorike të AKU në monitorimin e sigurisë ushqimore në vend.

-          Në vitin 2016 për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve janë kryer 6 % e analizave të vitit 2012, ose në shkallë vendi kryhen mesatarisht vetëm 2 analiza në 3 ditë, megjithëse është një nga sektorët më me risk për sigurinë ushqimore. E njëjta gjë vërehet dhe në analizat për mbrojtjen e bimëve, të cilat kanë rënie të konsiderueshme, duke i bërë produktet ushqimore me origjinë bimore të rrezikshëm për shëndetin e popullatës, për shkak dhe të mbetjeve pesticide që ato mund të kenë.

-          Rezultatet e analizave tregojnë se përmirësimi i sigurisë ushqimore në vend është i kufizuar, pasi me treguesit e analizave jo konform me standardet, pra të ushqimeve të dëmshëm për shëndetin, ka luhatje të theksuar. Në vitin 2012 kanë rezultuar 3.8 % e mostrave me tregues jashtë standardit, zbresin në 1.8 % në vitin 2015 dhe ngrihen në 2.8 % në 2016.

-          Në periudhën 2012-2016, kanë rezultuar jo konform standardeve mesatarisht 34.4 % e analizave të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, aq më keq që ka një prirje në rritje të konsiderueshme mbi 5 herë.

-          Pajisjet laboratorike janë të shpërndarë në 12 rajone, ndërkohë që personeli i tyre është vetëm në 7 prej tyre, duke sjellë që një sasi dhe vlerë e konsiderueshme të mos përdoren dhe gradualisht të humbasin cilësitë e funksionimit për shkak të kushteve të ruajtjes, të cilët përfaqësojnë  31 % të tyre, si dhe një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve janë të dëmtuara, të pavëna në punë dhe jashtë përdorimit, duke bërë që aktualisht të jetë në përdorim  54 % e vlerës gjithsej të  aseteve laboratorike.

-          Mungon gjurmueshmëria për produktet bimore dhe frutore të vendosura në treg, si dhe kryerja e analizave përkatëse, duke rrezikuar konsumimin e tyre me mbetje minerale dhe pesticide,  pasi nuk janë objekt inspektimi gjatë fazës së prodhimit.

-          OKB ka përcaktuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, cilat janë të lidhura ngushtë me arritjen e sigurisë ushqimore e ushqimit të përmirësuar dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme, si dhe sigurimin e konsumit të qëndrueshëm dhe modeleve të prodhimit (Objektivi 2 dhe 12), dhe pritet të udhëheqin veprimet e qeverive, agjencive ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera gjatë viteve të ardhshme (2017-2030).

KLSH, me shkresën nr. 29/8 prot., datë 07/08/2017, ia ka bërë të njohura rezultatet e këtij auditimi Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe ka njoftuar Kryeministrin e vendit me shkresën nr. 29/9 prot., datë 07/08/2017 për konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna për përmirësimin e shpejtë të situatës së sigurisë ushqimore në vend.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.017040967941284
array(1) { ["section"]=> string(83) "alarmi-klsh-auditon-aku-ne-te-paafte-te-garantojne-sigurine-ushqimore-ne-vend-89750" }