Alketa Vejsiu nuk shkoi për shqiptarët në Sanremo... (HISTORIA QË S’TREGOI)

Publikuar tek: fcb-bomb, më 10:37 08-02-2020 Alketa Vejsiu nuk shkoi për shqiptarët në Sanremo... (HISTORIA QË S’TREGOI)

Nga Anta Muçaku

Kur Alketa Vejsiu dha lajmin se do ishte pjesë e Sanremos, pavarësisht kritikave e bujës së madhe që shkaktoi nga prezantimi i Festivalit të Këngës, m’u duk një lajm i mirë për Shqipërinë.

Kishim mundësinë të përfaqësoheshim e promovoheshim në një skenë aq gjigante, në një Festival që ndiqet nga miliona njerëz e që për ne, është kaluar Eurovizionit.

Jo se nuk ishim përfaqësuar më parë. E kishte bërë më herët në mënyrë madhështore, e ëmbla Elsa Lila, me “Valerian”, dhe gjithë çiltërsinë që e karakterizon atë vajzë fisnike.

E megjithatë, në një kohë kur mediat në Itali raportojnë çdo ditë për bandat e drogës e grabitësit shqiptarë që herë ia mbathin e herë përfundojnë në pranga, një “thyerje” e këtyre lajmeve që na nxijnë faqen, nuk do i bënte keq kujt.

Përkundrazi, do tregonim se, krahas emrave të mëdhenj në futboll, muzikë e art, kemi edhe një moderatore të talentuar, të aftë të dominojë skenën si rrallëkush.

Sepse Alketa, pavarësisht historive “Faleminderit Verës”, burrit biznesmen apo Ramës, është modeli i gruas që karrierën e saj profesionale e ka ndërtuar ditë pas dite në ekran, ndryshe nga shumë të tjera që e kanë të vështirë t’i bëjnë dy fjalë bashkë dhe ekspozojnë gjithë ç’kanë, për ta pasur më të lehtë.

E sërish, pavarësisht nga sa thuhet e shkruhet, nuk besoj se ka shqiptar që thellë-thellë, mezi po priste të shikonte një copëz Shqipërie në mes të Sanremos.

Veçse i gjithë iluzioni u shua kur në skenë nuk pamë as ndonjë copëz Shqipërie dhe as shqiptarët por një Alketë egoiste që fliste veç me “UNË” dhe këtë pretendonte se e bënte në emër të shqiptarëve.

Për italianët mbase ishte emocionuese, e gati-gati prekëse të dëgjonin Alketën të thoshte për veten:“Vite e vite me rradhë, burra, burra, burra, burra pafund, pastaj... pabesueshmërisht, ia besuan drejtimin një gruaje”, teksa Amadeus e pyeste se kush e kishte prezantuar këtë vit, Festivalin e Këngës në Shqipëri. 

Ashtu do ishte edhe për mua po të mos dija të vërtetën e faktin që Alketa, ndoshta padashur, po gënjente.

Dhe pikërisht, kjo gënjeshtër e Alketës në faqe të botës është ajo që indinjoi shumë prej nesh.

Alketa, duke dashur t’u tregonte italianëve se sa e zonja është dhe se sa nevojë kishte Shqipëria për gra si ajo, i bëri “nul” të gjitha ato vajza e zonja që dikur e kanë patur vërtet të vështirë dhe kanë sakrifikuar në mënyrë që sot, rruga ku ecën Alketa, të ishte me shkëlqim e pa pengesa.

Në vend që t’i tregonte Amadeusit dhe italianëve se “u desh të vinte ajo” që më në fund” pas 58 vitesh histori, një grua të drejtonte një Festival të suksesshëm, ndoshta Alketa do duhej t’u fliste pak për Edi Luarasin.

Kjo grua për hir të Festivalit të Këngës sakrifikoi gjithë jetën e saj.

Ishte viti 1972 dhe nëse sot ndokush habitet me fustanet e Alketës, që në atë kohë, para saj, e bukura dhe e guximshmja Edi, gjatë prezantimit, ka ndërruar plot tre fustane.

Edi, bëri revolucion në Festivalin e 11-të të Këngës, atëhere kur nuk i shkonte mendja njeriu të improvizonte në skenë, të eksperimentonte me ngjyrat e fustaneve apo modelet e flokëve. Edi solli Sanremon në festivalin e diktaturës dhe gozhdoi mijëra të rinj e të reja para ekraneve bardh e zi. 

Edi guxoi dhe për këtë pagoi një çmim shumë të lartë. I shoqi, regjisori i madh Mihallaq Luarasi u burgos ndërsa vetë Edi, u dëbua mizorisht nga skena.

Jeta e Edit u shkatërrua, ëndrrat iu prenë në mes, vetëm e vetëm sepse guxoi të jetonte ashtu siç një vajzë aq e bukur dhe e gjallë si ajo, dinte ta bënte.

Flokët e dendur, të gjatë e të fryrë përpjetë, bizhuteritë plot shkëlqim, improvizimet jashtë skenarit në Festivalin e Këngës dhe fustanet e veçantë, rezultuan fatale për Edin.

“Njëri kishte ngjyrë të zezë të argjenduar. Një tjetër ishte mëndafsh me reflekse gri e bojëqielli. Dhe njëri me një fantazi të veçantë. I thashë rrobaqepëses se e dua me plise (me pala) që nga lart, deri poshtë. Vinte duke u zgjeruar dhe mëngët i kishte të gjera”.

Kështu rrëfen vetë Edi në një nga intervistat e fundit për tre fustanet që i shkatërruan jetën.

Nëse do na kishte treguar këtë histori, ndoshta sot Alketa do kishte gjithë admirimin e duartrokitjet tona, por Alketa na tregoi se si pas 58 vitesh, ajo erdhi e bëri histori në Festivalin e Këngës.

Alketa në Sanremo shkoi dhe mendoi vetëm për vete. Dhe në fakt, nuk shoh asgjë të keqe në gjithë këtë. Thjesht, nuk mund t’i vijë keq nëse na pështiroset kur flet në emër të shqiptarëve.

2fda7379a23506cb5b16aabe1586bead_M.jpg

(Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu- prezantimi i Festivalit të 11-të të Këngës)

edii.png

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010205030441284
array(1) { ["section"]=> string(77) "alketa-vejsiu-nuk-shkoi-per-shqiptaret-ne-sanremo-historia-qe-s-tregoi-194482" }