Ambasada e SHBA-së në vendin tonë ka bërë një deklaratë lidhur me dorëheqjen e ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka dhe arrestimin e deputetit tjetër socialist Armando Prenga.
Ambasada amerikane shprehet e kënaqur për këto vendime, duke i konsideruar ato përparimtare për Shqipërinë, e cila sipas amerikanëve po shkon drejt krijimin të një sistemi politik me drejtues që kanë standarde të larta etike.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga. Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.
Deputeti Ndoka dha dorëheqjen ditën e djeshme nga mandati i deputetit, ndërsa po dje, Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Prenga.
Sot, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me 6 ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfshirë ambasadorin amerikan, Donald Lu.