Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka qenë i ashpër në deklaratat e tij drejtuar Serbisë, kur është shprehur se Shqipërisë nuk i intereson nëse frikësohet apo reagon ky vend.
Minxhozi ka deklaruar për Kosovapress se askush nuk pengon Kosovën dhe Shqipërinë për një bashkim nën ombrellën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se “nëse frikësohet Serbia, apo reagon Serbia pak problem ka”.
Diplomati shqiptar në Prishtinë është shpehur se nuk i sheh problematike deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin kombëtar, duke thënë se Serbia bën politikën e vet dhe Shqipëria të vetën. Ai ka shtuar se jemi vende të një rajoni dhe kjo nuk na ndalon aspak që ne të bashkëpunojmë me Kosovën në fusha të ndryshme.
Minoxhi ka konfirmuar qëndrimin e Tiranës se Kosovës duhet t’i jepen të drejtat që i janë mohuar në lëvizjen e lirë, ndërsa ka theksuar sërish se Shqipëria po lobon për njohjen e Kosovës.
Po ashtu , Minxhozi ka thënë se po bëjnë ç‘është e mundur për të ndihmuar ose për të ndikuar në faktorizimin e Kosovës në të gjitha proceset që janë dhe jo për ndonjë gjë por që Kosova e meriton sepse duhet të ketë të drejtat e plota të patjetërsueshme si një shtet i lirë i pavarur dhe sovran.