Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka deklaruar edhe një herë tjetër mbështetjen e fuqishme të Tiranës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të OKB-së, ku Shqipëria mban pozicionin e zëvendës presidentit do të votojë sot për kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, për t’i kaluar më pas Asamblesë së Përgjithshme.
“Sot kam nderin të votoj në emër të Shqipërisë, në favor të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, shprehet Kadare.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet prej dy ditësh në Paris për të ndjekur nga afër këtë proces. Në një postim në facebook, Thaçi shprehet se ndodhet në kryeqytetin francez për t’i dhënë shtysën e fundit anëtarësimit të Kosovës.
“Jam në selinë e UNESCO në Paris për të dhënë shtytjen e fundit para votimit për anëtarësimin e Kosovës. Jam falënderues miqve të Kosovës dhe qytetarëve për ndihmën në lobim”, shkruan Thaçi.
Bordi Ekzekutiv pritet të marrë një vendim për Kosovës rreth orës 15:00 të ditës së sotme.