Zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës kanë thënë se rreziku i ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet e ardhshme amerikane është ende i lartë.
Dan Coats, Drejtori i Shërbimeve amerikane të Zbulimit, paralajmëroi se Rusia vazhdon përpjekjet për të dobësuar dhe përçarë Shtetet e Bashkuara para votimeve.
“Vazhdojmë të shohim një fushatë të gjerë nga Rusia për të dobësuar dhe përçarë Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Coats në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, Presidenti Donald Trump u ka dhënë udhëzime të gjitha shërbimeve që kanë për detyrë ruajtjen e sigurisë kombëtare, si të trajtojnë rrezikun në rast të ndërhyrjeve nga jashtë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.