“Amerikanët kanë në dorë dosjen me emrat konkretë të personave të pushtetshëm që do të vihen nën hetim”

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:48 23-08-2016 “Amerikanët kanë në dorë dosjen me emrat konkretë të personave të pushtetshëm që do të vihen nën hetim”

Nga Spartak Ngjela

A do të ndëshkohen keqbërësit e korruptuar sot në Shqipëri?
A do të gjenden burrat dhe gratë e ndershme, që do të kryejnë Reformën?

l.
Ajo që konstatohet sot në jetën shoqërore në Shqipëri është fakti që brezi i ri po ngjizet me një karakter të fortë patriotik. Në shpirtin e popullit shqiptar diçka pozitive po ndodh. 
Më ka bërë shume përshtypje ky fakt.
Është një rizgjim kombëtar, që nuk ka ardhur nga lufta, as nga shtypja e të huajit apo ndonjë pushtuesi, por thjeshtë si rezultat i zhvillimit të brendshëm shpirtëror të shqiptarit që po kërkon të mbrojë jetën e vet në atdheun e tij.
Shqiptarët e kuptuan më në fund se janë të tradhtuar nga krerët e tyre: ata e panë veten të vjedhur, të poshtruar, të grabitur dhe të përbuzur. Ata tani kuptohet se kanë vetëm një shpresë që vjen nga kjo pyetje që bëjnë përditë: a do të ndëshkohen keqbërësit që janë tallur me ta dhe me fatet e atdheut të tyre?
Ja, kjo është çeshtja e brezit të ri dhe të gjithë patriotëve shqiptarë sot: a do të vendoset drejtësia në vendin e tyre? A do të shkatërrohen çerdhet abuzuese që kanë shitur interesin shqiptar? A do të krijohet një drejtësi perëndimore në Shqipëri që edhe shqiptarët të hyjnë në strukturat e Bashkimit Europian? A do të kenë dhe shqiptarët atdheun e tyre me personalitet që nuk do të drejtohet më nga larot e korruptuar?

ll.
Të gjitha këto do të ralizohen...megjithatë, brezi i ri ka të drejtë të jetë disi skeptik. Por gjithçka do realizohet. I gjithë sistemi shoqëror demokratik nuk funksionon sot në Shqipëri, sepse është infektuar nga pushteti gjyqësor. Ai është vatra e infeksionit shoqëror, e cila ka infektuar të gjithë sistemin politik. Nëse në një shtet nuk funksionon drejtësia ligjore, ai shtet sundohet nga korrupsioni, abuzivizmi dhe krimi.
Duhet të jesh profesionist që ta kuptosh Reformën në Drejtësi, sipas kushtetutës së miratuari në 21 korrik. Janë katër ingredientë të sistemit të ri që krijojnë sigurinë e suksesit: prokuroria speciale, gjykata speciale, hetimi special dhe vetingu. Me anë të vetingut do të arrihet që hetimin special, prokurorinë speciale, dhe gjykatën speciale, t'i zgjedhin ekspertët amerikanë dhe europiano-perëndimorë. Madje një numër jo i vogël shqiptarësh po trainohen ndërkohë në Amerikë për së mbari. Që tani, të trainuarëve iu janë dhënë dosjet me emrat konkretë të personave të pushtetshëm që do të vihen nën hetimin, hetim ky që pritet të fillojë menjëherë.
Mbasi të kryhen hetimet, do fillojë funksionimi i prokurorisë speciale dhe gjykatës speciale, të cilat do të ndërtohen me shqiptarë të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm, ata që kanë filluar të trainohen në Perëndim, të cilët e dinë sak se fati i atdheut të tyre dhe interesi i vetë shqiptarëve është i varur drejtpërsëdrejti te drejtësia ligjore. 
Menjëherë pas nisjes së këtij procesi, fillon hapja e negociatave për në Bashkimin Europian: ne do të shohim njëherësh ndëshkimin e keqbërësve në një krah, dhe lundrimin drejt Bashkimit Europian me investime dhe zhvillim real të reformave tona, në krahun tjetër: reformën institucionale, reformën në arsim dhe reformën ekonomike; dhe, mbi të gjitha, do të fillojë ristrukturimi i tregut të mallrave dhe tregut të punës. Sepse ne sot, si pasojë e korrupsionit dhe mungesës së drejtësisë, nuk e kemi as tregun ligjor të mallrave, dhe as tregun ligjor të punës.

lll.
Shqipëria dhe shqiptarët po shpëtojnë nga një rrezik i madh. Ne vetë nuk e ndërmerrnin dot shpëtimin tone; ndihma amerikane ka qenë jetike. 
Këtu del një pyetje: a mund të ketë kthim mbrapa në Reformë?
Jo... kjo është një pamundësi absolute. Politika amerikane dhe ajo gjermane e kanë mbyllur këtë çeshtje, dhe Reforma tani quhet një "sistem i mbyllur". Le të vërtiten kot nëpër stacionet televizivë dhe nëpër gazetat e korrupsionit lakejtë mbrojtës të korrupsionit shqiptar: gjithçka është mbyllur. Prandaj prisni dhe shihni ditët që do vijnë.
Por janë të shumtë ata që pyesin: po ku do t'i gjejnë njetezit? Të gjithë të korruptuar janë... Po, si mendoni ju, që ndershmëria dhe dinjiteti i individit është varrosur në Shqipëri? Aspak. Rrini të qetë se njerëzit e ndershëm dhe të kontrolluar do ta kryejnë këtë proces.... dhe janë gjetur që tani një pjesë, edhe do të gjenden edhe të tjerët. Shqipëria ka mbijetuar nga heronjtë e ndershëm të saj: mos e harroni kurre këtë! Dhe nuk janë pak. Janë shumë... sepse ata na kanë nxjerrë gjallë nga tragjedia jonë osmane. "Me jepni një hero, që të shkruaj një tragjedi", kanë thënë tragjedianët e medhenj. Me heronj ka kaluar historia jonë tragjike dhe e dhimbshme, e cila ende nuk është shkruar mirë për periudhën e gjatë pa shkolla... pa jetë kulturore, të copëtuar, të dhunuar, por, vetëm me heronj dhe me folklor ama, dhe besnikë deri në vdekje të gjuhës sonë, kemi mundur të mbijetojmë. 
Ende historia e Shqipërisë nuk është shkruar për të nxjerrë në pah të vërtetën tonë, se na kanë dominuar gënjeshtrat e fqinjëve që kanë brenda shtetit te tyre, dy herë me tepër territor shqiptarësh sesa shteti i sotëm shqiptar. Gjithsesi tani jemi duke eliminuar infeksionin në fokusin tonë të ndërtimit shoqëror: po kryejmë Reformën në Drejtësi. Këtu fillon dhe hidhet pa dyshim hapi i madh shqiptar drejt dinjitetit, zhvillimit modren dhe mirëqenies shoqërore. Këtu!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0075399875640869
array(1) { ["section"]=> string(107) "amerikanet-kane-ne-dore-dosjen-me-emrat-konkrete-te-personave-te-pushtetshem-qe-do-te-vihen-nen-hetim-50614" }