Analogjia me Gjinushin/ Një festë për zgjedhjet në hollin e fermës së dijes

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:45 25-05-2019 Analogjia me Gjinushin/ Një festë për zgjedhjet në hollin e fermës së dijes

Nga Gjerak Karaiskaj

Në hollin e godinës qëndrore të “Fermës së Dijes,”po bubrronte një festë e vogël, ku punëtorët për dijen gumëzhinin nga entusiazmi dhe padurimi; i pranishëm ishte dhe i deleguari i cili, në mënyrë ceremoniale, do të shpallte kryetarin e sapo zgjedhur. Një ndjenjë e përbashkët i kaplonte të gjithë ata që ndodheshin në atë festë, kjo ndjenjë ishte, se Partia për arsye që i dinte vetëm ajo, mund ta zëvendësonte atë sallë me një tjetër po aq të madhe e të mbushur plot, por me njerëz krejt të tjerë dhe këtë mund ta bënte jo vetëm njëherë, por sa herë të donte, deri në pafundësi.Pra vlera e veçantë e secilit prej atyre, që ndodheshin në atë festë, qëndronte pikërisht në mundësinë e pafundme të zëvendësimit. Dhe e gjithë kjo ishte arritur vetëm në saj të procesit.

Trapezat ishin mbushur shumëllojshmërisht me të gjitha të mirat, që i shkonin për shtat rrangut të një ferme. Ziguri dhe Lefeni, gjithë duke matur me sy largësinë midis duarve të deleguarit, dhe kyçeve respektive të duarve të tyre, e kishin futur atë në mes, si të ishte arbitri, pas përfundimit të një ndeshje boksi. Të dy boksierët e improvizuar prisnin në ankth, se cilit do t’i takonte fitorja me ngritjen lart të krahut. 
I deleguari foli për punën e madhe voluminoze dhe të ndershme, që ishte kryer në përzgjedhjen e kandidaturave, vështirësitë dhe pengesat që kishin hasur gjatë rrugës, si dhe për punën e lavdërueshme të komisionit - Asnjëherë Partia dhe pushteti – tha ai - nuk janë impenjuar me një përkujdesje dhe forcë të tillë si në rastin e Fermës së Dijes, për hir të procesit të ardhmërisë. Pastaj, sapo mbaroi së foluri, u kthye nga Lefeni dhe e përqafoi, ndërsa Zigurit i shtërngoi fort dorën.
Të gjithë e kuptuan se Lefeni ishte zgjedhur kryetar. Megjithatë, ashtu si pritej, entusiazmi nuk ishte i plotë, por i përgjysmuar, jo në kuptimin që gjysma e të pranishmëve ishte kundra dhe gjysma tjetër pro njërit nga kandidatët, por që, kjo ndarje ekzistone tek secili nga individët e pranishëm brenda vetes.
- Do të ishte më mirë - tha dikush – të ishin dy bashkëkryetarë.
- Ashtu mendoj dhe unë – ia ktheu tjetri – ata janë si një trup i vetëm, por besoj se do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Ata të dy, tani, si të ishin një trup i vetëm, nuk vlerësoheshin më, për veprën e tyre, por për jetët e tyre. Për jetët e konsumuara deri në çastin aktual, të cilat bënin dhe diferencën. Sepse nuk mund të kishte një punëtor të merituar për dijen, pa një jetë të përcaktuar qartë deri në ditët e fundit të saj. Ishte e shkuara, ajo që do të firmoste në mirëbesim dhe për të ardhmen. Atyre nuk u kërkohej më puna, por imazhi, ai imazh që do të shërbente si model për të sotmen dhe të ardhmen. Sepse që nga ky çast ata nuk i përkisnin më vetes por brezave. Pra, në një farë kuptimi ishin një domosdoshmëri, por në një kuptim tjetër, më të gjerë,ata ishin sa të domosdoshëm, po aq edhe të tepërt.
Gjysma e zbrazët e gotës për gjysmë në secilin nga të pranishmit në veçanti, bëri që i gjithë holli, pa përjashtim, të shkrehej në një gjysmë vaji. Punëtorët e atyshëm, sipas prirjeve vetiake qanin përgjysmë, me dënesë ose me kuje. Gjithsesi lotderdhja ishte e përgjithshme; të gjithë derdhnin gjysmëlot sipër gjellëve të tyre. 
Nuk ka ndjenjë më fisnike se sa ajo e mirënjohjes. A nuk ishte Ziguri një nga ata, që me dorën e tij të butë e të dhembshur, si të një kopshtari të mirë, që di të zgjedhë frutat më të arrira, i shkëputi ata, një nga një, prej mjediseve të tyre kaotike, i veçoi nga kolegët më pak të denjë, dhe i bashkoi në këtë festë gati familjare?
Midis të pranishmëve ndodheshin dhe disa punëtore të nderuara për dijen, prej të cilave shquhej punëtorja S. T. Ishte një nga ato raste jo fort të shpeshta kur një punëtor i Partisë, pranonte të kthehej në punëtor për dijen, për të mirën e Partisë. S.T. kishte kaluar një jetë të qetë e të njëtrajtëshme, si të ishte brenda një kori gjigand e të harmonishëm, i cili lipsej t’i fitonte zemrën dirigjentit. Kështu e përfytyronte ajo gjindjen në përgjithësi. Si e zbuloi Partia dhe e vuri të përgjojë harmoninë e mendimit, detyrë kjo thjeshtë partiake, asaj i binte shpesh të vraponte, si një pulë e shushatur, por dhe lozonjare, drejt autoritetit më të lartë për të paditur kundravajtësin e rradhës, dhe ja se si: “Zoti A punëtoria D ka stonuar.” S. T. u familjarizua aq shpejt me punën për dijen, brenda harkut kohor të asaj feste, sa në lotë e sipër dhe ngashërima që kumbonin në të tërë sallën, i ra vilania. Në heshtje, si të ishte një sëmundje ngjitëse, filluan të qanin dhe të tjerët. Kjo ndodhi pikërisht atëhere, kur të gjithë të pranishmit, i kishte pushtuar serioziteti i atij çasti solemn. Dhe po t’a mendosh se ata ishin vetëm gjysmë lot dhe ai gjysmë të fikti, çdo të ndodhte po të ishin të plota! Dy punëtorë e kapën përkrahësh kolegen e tyre, e ngritën hopa dhe mezi e përmendën duke i vënë alkol në hundë dhe pece me ujë të ftohtë e uthull, në ballë. I deleguari, nga që e kishte patur vazhdimisht në mendje S. T- në. nuk e përmendte atë në biseda dhe as në konferencat udhëndriçuese, për më tepër ai nuk e kishte shënuar as në listat orientuese, që i dërgonte herë pas here Fermës. Dhe e gjithë kjo ndodhte vetëm se ai ishte i bindur se të tjerët e merrnin me mend se çfar ai kishte në mendje. Por, në të vërtetë vetëm Ziguri e kishte nuhatur këtë ndërmendje të të deleguarit, dhe e kishte bërë ai, punën për të. Sidoqoftë fakti, që S.T. u familjarizua aq shpejt dhe lirshëm me punën për dijen, bëri goxha përshtypje të mirë tek të tjerët. 
I deleguari e ndjeu veten keq, pas atij reagimi të papritur, lidhur me dualizmin Lefen – Zigur. – Eshtë vetëm çështje moshe, asgjë tjetër – u tha ai të pranishmëve – se që të dyja kandidaturat, i plotësonin kriteret në mënyrë të barabartë. Por brenda vetes ai mendoi ndryshe: “Bëmë gabim – i tha vetes - që paraqitëm dy kandidatura. Me një kandidaturë të vetme, edhe entuziazmi do të kishte qenë i plotë dhe nuk do të kishim patur incidente. Nuk janë dritëshkurtër ata atje lart, që në kësi rastesh paraqesin një kandidaturë të vetme. Ose kur në rastin më të keq, kandidatura tjetër është sa për të thënë, apo thjeshtë butaforike, por kurrsesi e barabartë. Gjysma e zbrazët brenda çdo personi, jo vetëm që përgjysmon entuziazmin, por, në raste të veçanta, të çon deri në vetvrasje pa dashje, si desh na ngjau, për pak, me njërën nga punëtoret tona më të devoçme për dijen. Por nuk ke ç’ti bësh procesit. Lipsej t’i përmbaheshim me çdo kusht atij, përndryshe do të na kompromentohej rëndë.”
- Do ta kemi përsëri në krye të punëve – vazhdoi i deleguari – se, ai e ka fituar me djersë, titullin e punëtorit të merituar për dijen.
Atëhere, ai e pa të udhës, t’ua shpjegonte edhe njëherë të pranishmëve, rëndësinë e procesit: - Rezultati është sa i rëndësishëm, aq edhe pa vlerë – nisi përsëri i deleguari, - është i rëndësishëm, se vetëm nëpërmjet tij mund të testojmë procesin, por i pavlerë se, nuk përmban asnjë vlerë në vetvete. Rezultati mund të jetë i ndryshueshëm pafundësisht, përsa i përket aktorëve që dalin prej tij, mjafton që ata të mos cënojnë vlerën e procesit. Ndërsa procesi është një i vetëm, i pandryshueshëm dhe i përjetshëm. Epërsia e “Fermës së Dijes” - vazhdoi ai ligjëratën - qëndron në barazinë e saj të plotë, me të gjitha fermat e tjera, brigadat, depot apo magazinat, pra tek e përgjithshmja, dhe jo tek e veçanta; është procesi që kemi zgjedhur, ai, që e bën të veçantë. Pra që ta themi troç, Ferma e Dijes, nuk vlen një mut – vijoi ai duke përsëritur shprehjen e famshme të Komandantit legjendar. Pas fjalës “mut”, pati brohoritje dhe një një entuzjazëm të paparë. Tani po, që entuzjazmi ishte i plotë, dyfish më i lartë se kur u zgjodh kryetari. U duk sikur ajo fjalë pritej prej kohësh, aroma e saj ndjehej pezull në atmosferën e festës, por dhe me një farë pasigurie. Se e thënë nga një personalitet aq i lartë, ajo merrte tjetër kuptim. “Ai është si ne”, i thanë të pranishmit njeri-tjetrit, pa folur, “pra ne jemi si Ai, si Udhëheqësi.” Nuk ka gëzim më të madh se sa të identifikohesh me Udhëheqësin, qoftë dhe nëpërmjet një fjalëze kaq të thjeshtë dhe të pafajshme. Pjesa dërmuese e të pranismëve nuk e përmbajti dot vetën, u hodhën pupthi, përqafonin njeri-tjetrin nga gëzimi, lëshonin britma dhe bënin ca gjeste të çuditshme dhe të pakuptimta. Madje dikush, për nder të asaj fjale, shpërtheu brenda sallës një fishekzjarr të vogël dore, i cili në grahmat e fundit të egzistencës së tij, volli nga gurmazi i tij i ngushtë edhe një mori letrash të spërdredhura me ngjyra partiake të të gjitha seksioneve të Partisë, si dhe petale lulesh simbolike, me ngjyrat e shteteve që përkrahën procesin. Por, i deleguari u bëri shenjë me dorë që të qetësoheshin, se pikërisht në atë moment i ra në mendje diçka tjetër,tepër e rëndësishme dhe e veçantë, por që nuk ua tha punëtorve të pranishëm në festë: “Sikur të kishim një kombinim të cilsive më të mira të dy kandidatëve, mendjen e Zigurit dhe jetën e Lefenit, do të ishte një zgjidhje ideale, por nuk mund ta gjesh përsosmërinë tek një individ i vetëm, vetëm tek udhëheqsit e mëdhej të Partisë mund t’i ndeshësh këto dy cilësi të shkrira në një të vetme.” Në fakt ata të dy plotësonin reciprokisht njëri-tjetrin.
Për të përkrahur të deleguarin, në atë shpërthim të përgjithshëm të ndjenjave njerëzore, njëri nga shkrimtarët seksologë, që ishte ftuar për të nderuar festën, u ngrit dhe premtoi solemnisht, se sapo t’i jepte dorën e fundit veprës me titull: “Ndikimi i seksit të çliruar kombëtar në konsolidimin e marëdhënieve ndërkombëtare,” do të shkruante një roman panegjirik posaçërisht për Zigurin. Fjala e të deleguarit për procesin, por dhe premtimi solemn i seksologut, ua thanë, lotët të pranishmëve. I çliruar nga barra e vramendjes, i deleguari u kthjellua në fytyrë, ngriti gotën me verë dhe e përshëndeti auditorin me fjalën “gëzuar”
Ndryshe nga Ziguri, synimi i të cilit ishte, të përmbushte këtë detyrim të fundit për të shlyer fajin, megjithëse ishte i pafajshëm, Lefeni, tani që kishte pushtetin dhe mundësinë ligjore e financiare për të qarkulluar kudo që të dëshironte, e kërkonte atë post thjesht për ambicje mendore. Shumë kujt, po të ishte i pasur, nuk do t’i bëhej vonë për nderet e “Fermës së Dijes,” por, ndryshe ndodhte me Lefenin, ndoshta nga që e ndjente veten njeri të kompletuar. Ai tani zotëronte dhe dijen si perceptim nga jashtë, por dhe pushtetin si ndjesi të brendshme. Ambicja e tij iluzore kërkonte tani, ta kthente zejen e dijes dhe njëherë në kohën e lavdishme të Fletë-Rufeve. Kjo ndodhte nga që, kur të tjerët i numëronin meritat, thjesht për mirësjellje, apo dhe nga që nuk dinin asgjë për të dhe punën e tij, por vetëm kishin dëgjuar diçka, ai i kërkonte ato merita brenda vetes, dhe të gjitha rrugët e shpirtit e shpinin po tek Fletë-Rrufetë.
Ndërsa i deleguari po fliste, duke mburrur procesin, Lefeni i bëri një bilanc në mendje, jetës së tij të shkuar deri në çastin aktual. I dukej sikur gjithë jeta e tij kishte përshkuar një periudhë të gjatë e të lodhshme tranzicioni, ku asgjë nuk ishte e sigurtë dhe e përcaktuar qartë. Gjithë ata armiq të jashtëm e të brendshëm, gjithë ato beteja për mbijetesë, gjithë ai rivalitet. Por më në fund gjërat kishin zënë vendin e tyre të natyrshëm, të qarta, të sigurta dhe mbi të gjitha përfundimtare. Vërtet dhe tani ka armiq, por ata janë lodra prej letre në krahasim me të parët, që kur të duash mund t’i grisësh dhe t’i hedhësh në kosh të plehrave. Por gjithsesi, ata mbeten të nevojshëm, për të luajtur me ta. Ata lipsen edhe për t’i dhënë një farë kuptimi jetës shpirtërore, që është e prirur për luftën e të kundërtave. 
Ndërkohë që punëtorët e fermës, po çiknin gotat me të deleguarin, një punëtor i regjur për dijen, i cili e kishte ndjekur ecurinë e Fermës që nga koha kur hidheshin themelet e saj, iu afrua Zigurit, e zuri për krahu dhe i foli në konfidencë:
- Ti vërtet bëre burgun Zigur, dhe nuk të pranonin në fermë
dhe pasi e kreve atë me nder, por, ja tani ku je në krye të punëve. Ç’është e vërteta dhe Lefenin nuk e kemi dashur, nga që na kallte frikën, nuk guxonim t’i thoshim as fjalën e mirë dhe as të keqen, se ta merrte për keq, por vetëm i druheshim. Ja, dhe ai ku ndodhet tani në krah të deleguarit. Pa mendo për ata shpresëhumbur, që dikur i prisnin me njëfarë mirësjellje dhe premtime, ku janë tani? Se ti e di, që Ferma e Dijes nuk ishte si fermat e tjera, që t’i priste me egërsi shpresat që në ballafaqimin e parë. Asnjëri prej tyre nuk ndodhet në festën tonë. Kuptohet se në të kaluarën, autoritet e fermës nuk janë sjellur mirë as me ty dhe as me Lefenin, por nganjëherë mirësjellja të vret më shumë se arroganca. 
Ziguri i lodhur tej mase nga procesi, kërkoi leje të largohej për të pushuar. Grupi i punëtorëve për dijen e shoqëroi deri tek sheshpushimi i shkallëvë, pastaj e ndoqi me sy, tek zbriste shkallët, kur iu afrua veturës, kur shoferi i hapi portën dhe kur u ul në sedilen e prapme. Pastaj vunë re makinën të lëvizte, të kalonte portën e hekurt të oborrit dhe se si pas një hezitimi prej disa çastes, në një kryqëzim, e panë atë, të merrte drejtimin për nga “Veshi i Artë.” Ai largohej por, suksesin e përsosmërisë së procesit e la aty, midis kolegëve të tij, në hollin e godinës së Fermës. 
Kishte rënë muzgu. Hijet e natës sapo kishin filluar të binin, si një masë e përhimtë mbi rrugët dhe sheshet, që gumëzhinin nga gjindja. Por, qielli vende-vende, ishte ende i kaltërt midis reve të bardha të shpërndara fije- fije, si flokët e shkalafitura të një plake. Qyteti regëtinte nga dritat. Statujat prej betoni të heronjve, reflektonin cipën e tyre prej varaku ngjyrë bronxi. Hajdutët e xhepave ngazëllenin të ç’penguar në linjat urbane të mbushura plot e përplot. Ishte një buzëmbrëmje magjepsëse, sikur donte t’i vinte kapak suksesit. Nga lartësia e sheshpushimit të shkallëve, qyteti dukej si në festë. Po afrohej një sebep më i rëndësishëm se ai “Fermës së Dijes.”ai i zgjedhjeve të mëdha. Nëpër shtylla vareshin flamuj, ndërsa parulla të përshtatura për kohën, qenë mbërthyer në fasadat e ndërtesave. Posterat llamburisnin nga dritat duke bërë të mundur që, portretet e ngërthyera në ta, t’a çanin errësimin e përhimtë të muzgut, në mënyrë, që buzëqeshjet e tyre, të sinqerta, të arrinin deri tek kalimtarët, që mezi arrinin t’i kuptonin. Madje disa dëshmitarë të rastit, betoheshin me be e rrufe, se në atë buzëmbrëmje aq të bukur e të gjithëkuptimtë kishin parë deri lot mallëngjimi dhe mirënjohje në sytë e egër të shtatores, së “Çlirimtarit.”

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.28105592727661
array(1) { ["section"]=> string(81) "analogjia-me-gjinushin-nje-feste-per-zgjedhjet-ne-hollin-e-fermes-se-dijes-165653" }