Anglia po del nga BE, bota bëhet gati, bankat kanë një plan rezervë

Publikuar tek: ekonomi, më 17:08 30-07-2017 Anglia po del nga BE, bota bëhet gati, bankat kanë një plan rezervë

Arabë, rusë, kinezë dhe indianë. Londra, që po përgatitet të dalë nga Bashkimi Europian, është një kryeqytet financiar, që do të përpiqet ta kthejë izolimin në një pikë force. Do të synojë të tërheqë kapitalet e të pasurve të rinj, shkruan “Il Sole 24ore”.

Ajo po përgatitet si për humbjen e përgjithshme nga bankat globale që po rishikojnë strukturat e tyre globale, në varësi të disa skenarëve, ashtu dhe për humbjen e fortë nga Brexit i ashpër, si dhe për të ashtuquajturin Brexit i dobët, që ka më shumë gjasa të ndodhë.

Çdo gjë do të varet nga shkalla e “negocimit”, në fakt. Përcaktues për të kuptuar të ardhmen e Londrës do të jenë negociatat teknike të këtyre muajve me Bashkimin Europian. Në Londër, megjithatë, tashmë janë duke studiuar planet e mundshme B për të kufizuar dëmin. Saudi Aramco, kompania saudite shtetërore, kompania e parë globale e naftës, është duke u përgatitur për atë që mund të jetë oferta publike fillestare (IPO) më e madhe në histori. Ajo ka njoftuar se do të investojë 300 miliardë $ gjatë dekadës së ardhshme për të ruajtur kapacitetin aktual të prodhimit dhe për të rritur gazin natyror.

Dy ditë pas deklarimit të Saudi Aramco, nga Londra iu shtri një dorë sauditëve dhe vendimit të tyre për t’u listuar në Bursë: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (FCA), i cili rregullon tregjet financiare dhe të shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar, ka propozuar për të futur rregulla të reja dhe një indeks të ri në Bursën e Londrës, për të lejuar listimin e kompanive të kontrolluara nga shtete sovrane, si Saudi Aramco. Propozimi është kritikuar nga Shoqata e Menaxherëve të Fondeve Britanike, të cilët shprehën rezerva për transparencën e administrimit të Aramco. Por dihet – siç thotë një shprehje romake – pecunia non olet (paraja nuk ka aromë). Dhe kështu, në një deklaratë, FCA shpjegon: “Ne besojmë se investitorët tanë dhe tregjet janë mjaftueshëm të aftë për të kuptuar rreziqet shtesë të investimit që mund të ketë një shoqëri e kontrolluar nga një shtet sovran”.

Autoriteti i Tregjeve i ka dhënë afat deri më 13 tetor për të mbledhur reagime me propozimin e tij për rishikimin e rregullave. Propozimi për reformën, megjithatë, thotë se është shumë i lidhur me atë se si qyteti është i përgatitur për të hapur skenarë të rinj, si rrjedhojë e frikës së pasojave të Brexit.

Bankat dhe kompanitë e financave janë ato që ka të ngjarë të ndikohen më shumë nga Lamtumira e Britanisë nga BE. Priten me mijëra më pak vende pune për qytetin – disa vlerësime flasin për më shumë se 13 mijë vende vetëm mes kreditorëve të mëdhenj – dhe degë të tëra të veprimtarisë se bankave globale shumë shpejt do të lëvizin në kryeqytetet e tjera europiane. Shoqata e bankave të huaja në Gjemani pret në dy vitet e ardhshme ardhjen e 3-5 mijë punonjësve dhe drejtuesve bankarë, nga 12-14 banka që pritet të zgjerohen apo të hapin selinë e tyre në qytetin ku ndodhet Banka Qendrore Europiane, pas daljes së Britanisë nga BE.

Bank of America nuk e ka vendosur ende, por Dublini duket të jetë opsioni i preferuar për të ndjekur biznesin e saj në Europë. Barclays, ashtu si bankat e tjera britanike, do të duhet të marrë një licencë të re për të vepruar në kontinent dhe do të duhet të modifikojë marrëveshjen me juridiksion tjetër. Ky proces, mund të zgjasë një vit ose 18 muaj. Selia europiane e Barclays pas Brexit do të jetë Dublini. Edhe Citigroup, një tjetër bankë e madhe amerikane, vendosi të transferojë shumicën e stafit nga Londra në Dublin për të ndjekur shitjet dhe tregtimet. BNP Paribas do të transferojë 300 punonjës në degën e Investimeve në Paris. BNP ka ulur tashmë personelin e saj këtë vit në Britaninë e Madhe nga 3294 në 3123 persona, transmeton Monitor.al. Deutsche Bank po përgatitet të kalojë në Frankfurt të gjitha operacionet tregtare të letrave me vlerë, dhe këtu flitet për 4 mijë të punësuar. Edhe Goldman Sachs po planifikon të lëvizë mbi një mijë njerëz në Frankfurt.

Crédit Agricole, banka e tretë franceze, në varësi të Brexit, po përgatitet për t’u kthyer në Paris nga 100 deri në 1.000 të punësuar. JPMorgan Chase & Co do të përdorë Frankfurtin si seli ligjore për Europën, siç tha CEO Jamie Dimon, por dy muaj më parë ka blerë një seli në Dublin me zyra që mund të presin një mijë punonjës, përveç 500 punonjësve që tashmë janë duke punuar për Bankën amerikane në kryeqytetin irlandez. HSBC, banka më e madhe e Europës, ka në plan të zhvendosë në Paris rreth një mijë njerëz. Lloyds Banking Group pritet të zgjedhë Berlinin si një bazë europiane për të siguruar akses në tregjet e BE-së pas Brexit. Morgan Stanley duhet të transferojë një mijë të punësuar nga stafi europian nga Londra, që punojnë në shitje, tregtim, menaxhim i riskut dhe çështjet ligjore. Zgjedhja është e orientuar në mes të Frankfurt dhe Dublinit. Nomura e Japonisë tashmë ka aplikuar për një licencë për të vepruar në Frankfurt. Gjiganti i menaxhimit të pasurisë UBS nga Zvicra do të kalojë 1.500 njerëz në Europë, nga rreth 5500 që ajo ka staf aktualisht në Londër, shkuan Monitor.al. Dy bankat italiane, Intesa Sanpaolo dhe UniCredit për momentin nuk kanë plane zhvendosjeje.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.036813020706177
array(1) { ["section"]=> string(71) "anglia-po-del-nga-be-bota-behet-gati-bankat-kane-nje-plan-rezerve-87816" }