Anketim në Kuvendin e PD, demokratët nuk duan koalicion zgjedhor me LSI

Publikuar tek: barometri, më 08:02 06-05-2018 Anketim në Kuvendin e PD, demokratët nuk duan koalicion zgjedhor me LSI

Demokratët nuk duan aleancë me LSI. 54 përqind e tyre i janë përgjigjur me "JO" pyetjes nëse PD duhet të bëjë koalicion zgjedhor  2019/2021 me LSI.

Më 29 prill 2018 ekipi kërkimor i Institutit të Studimeve Politike (ISP) zhvilloi testim të një numri të madh delegatësh të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. E njëjta praktikë është ndjekur më 2016 edhe në Kongresin e PS dhe më pas edhe në Konventën Kombëtare të LSI.

Anketimi nxori në pah problematika të rëndësishme ku ndodhen partitë politike, politika dhe demokracia e brendshme brenda tyre. Shumica e të dhënave lidhen me PD, por një pjesë e tyre janë reflektim edhe i gjendjes jashtë saj, në spektrin e gjerë politik. Të dhëna të tilla si vullneti i qartë i delegatëve për të larguar nga partia personat e inkriminuar dhe të korruptuar, mbështetja masive për veting në politikë, bindja se reformimi tërësor i sistemit përfaqësues dhe politik është zgjidhja më e mirë për të ardhmen, apo mbështetje e fortë për depolitizimin e administratës zgjedhore, – janë risi pozitive dhe tregojnë nivel të lartë ndërgjegjësimi politik të delegatëve, – në disa raste edhe në kontrast me lidershipin politik të vetë forcës politike.

Delegatët e një Kuvendi Kombëtar supozohet se janë qytetarë të përzgjedhur, që kanë një përgjegjësi në parti, në publik dhe në politikë. Fakti se mbi 40% e tyre lidhen me forcën politike për shkak të traditës familjare ose se pjesa dominuese në parti i përket kategorisë së vjetër historike, tregon nevojën e madhe që kanë partitë për tu reformuar, hapur, krijuar hapësira të reja dhe nxitur anëtarët e saj të kenë identitet politik, të kenë formim politik dhe të kenë vizion personal për politikën dhe të ardhmen e vendit. Gjithashtu, fakti se një në pesë delegatë deklaron se është pa marrëdhënie pune në shtet apo në privat, është tregues i natyrës së ashpër të zhvillimeve politike në vend, ku partitë fituese largojnë nga puna mbështetësit e palës tjetër, një cikël i mbyllur që përsëritet pas çdo rotacioni politik. Nga ana tjetër kjo tregon se një pjesë e madhe e politikanëve tanë sidomos në nivel lokal, nuk kanë profesion tjetër vec marrjes me politikë, duke e parë politikën si mbijetesë, status social, burim financiar dhe jo si profesion të ideve, part time dhe aktivitet vullnetar.

Të dhënat e nxjerra janë një listë këshillash mjaft të vlefshme për politikanët në PD dhe të tjerët në partitë politike, sesi duhen të merren vendime për më shumë demokraci dhe më shumë përfaqësim. Mbështetja masive për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për zgjedhjen e Presidentit nga populli, për krijimin e senatit, për votën e emigrantëve, për depolizitimin e administratës zgjedhore, etj, janë tregues maturie dhe proteste të bazës partiake ndaj vendimmarrësve politikë. Këto sugjerime kanë vlerë sidomos në stadin ku ndodhet komisioni bipartiak parlamentar, i cili duhet të bëjë ndryshime në kuadër të reformës zgjedhore.

Studimi i plotë me të dhënat krahasuese për secilën nga rastet e cituara më lart, përfshirë analizën e detajuar mbi pyetësorin e zhvilluar në Kuvendin e PD 2018, do të publikohet në muajin e ardhshëm nga stafi kërkimor i Institutit të Studimeve Politike./ ISP

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0078811645507812
array(1) { ["section"]=> string(77) "anketim-ne-kuvendin-e-pd-demokratet-nuk-duan-koalicion-zgjedhor-me-lsi-119660" }